Foto nga CFP
Instituti i Statistikave në Shqipëri bëri të ditur se transporti ajror, në tremujorin e dytë të vitit, shënoi rritje me 64.7% duke regjistruar udhëtimin me linja ajrore të 2.879.158 pasagjerëve, nga 1.747.887 pasagjerë që udhëtuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, për të njëjtën periudhë, volumi i mallrave të hyra dhe të dala (duke përfshirë postën) nëpërmjet transportit ajror rezultoi 560.8 tonë, nga të cilat 74.2% mallra hyrëse dhe 25.8% mallra dalëse. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, INSTAT-i raporton për rritje me 12.7%, përcjell “ATSH”.
Sa i takon eksport/importit të mallrave me rrugë ajrore, në tremujorin e dytë në total volumi i mallrave të tregtuara shënoi 571 tonë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky tregues shënoi rritje me 47.8%. INSTAT-i raporton se volumi i mallrave të importuara nga ajri në tremujorin e dytë të 2024 zë 0.02% ndaj volumit total.
Në transportin ajror operojnë 25 shoqëri, nga këto janë 24 shoqëri të huaja dhe një shqiptare. Në tremujorin e dytë të vitit, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 102.916 avionë. (Elona)