Kina zgjeron politikën e tranzitit 144-orësh pa viza në 37 pika hyrëse
2024-08-01 14:19:43

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ditët e fundit, Administrata Kombëtare e Imigracionit e Kinës njoftoi shtimin e tre pikave të reja të hyrjes lidhur me politikën e tranzitit 144-orësh pa viza: aeroportit ndërkombëtar “Xinzheng” të Zhengzhou-t, aeroportit ndërkombëtar “Sanyi” të Lijiang-ut dhe pikës hyrëse hekurudhore “Mohan”.

Kina ka vazhduar ta zgjerojë politikën e heqjes së vizave për të nxitur rritjen e turizmit nga jashtë.

Sipas të dhënave përkatëse, në vend të fluturimit me avion, gjithnjë e më shumë turistë të huaj kanë zgjedhur trenat me shpejtësi të lartë si mjet udhëtimi brenda Kinës. Në uebsajtin turistik kinez “Qunar.com”, udhëtarët nga ShBA-ja, Koreja e Jugut, Rusia, Vietnami dhe Malajzia kanë rezervuar numrin më të madh të biletave për trena me shpejtësi të lartë.

Destinacionet ku mund të mbërrihet brenda një kohe rreth 2-orëshe me tren  përqark Jiangsu-së, Zhejiang-ut, Shangait, Sichuan-it, Chongqing-ut, Guangzhou-t, Shenzhen-it etj. janë shumë të mirëpritura. Ndër to, Jinhua, Nankini dhe Suzhou janë ndër dhjetë destinacionet më popullore.

Tani problemi i "strehimit të të huajve", i cili dikur shqetësonte vizitorët nga jashtë, është përmirësuar ndjeshëm. Në uebsajtin “Qunar.com”, 97 % e hoteleve me tre yje ose më shumë në Shangai mund të presin vizitorë të huaj. Në qytete si Pekini dhe Guangzhou, që mirëpresin si udhëtarë për biznes, ashtu edhe turistë, kjo shifër arrin në 80 %.

Sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare e Imigracionit, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 14 milionë e 635 mijë shtetas të huaj hynë në Kinë nëpërmjet pikave të ndryshme,152.7 %  më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndër ta, 8 milionë e 542 mijë hynë në Kinë pa viza, me një rritje prej 190.1 %. (Fani)