Foto nga VCG
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi të mërkurën testimin operacional të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI) që do të përdoren në zgjedhjet pjesshme për kryetarin e bashkisë Himarë, në datën 4 gusht.
Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 36 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje, bën të ditur “ATSH”.
Në mënyrë rastësore u përzgjodhën 3% e pajisjeve për të testuar përputhshmërinë e kritereve nga KQZ-ja në raport me atë çfarë ofrojnë pajisjet. Simulimi i procesit në këtë test operacional verifikon elementët si: nëse një votues i përket asaj qendre votimi, nëse një votues tenton të votojë më shumë se një herë apo nëse një votues është në qendrën e gabuar të votimit. Gjithashtu, edhe rastet e veçanta që lidhen me komisionerët apo zgjedhësit që paraqiten me vendim gjykate.
Procesi i identifikimit elektronik do të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse është kryer në kushte manuale.
Zgjedhësi në ditën e votimit do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm. (Elona)