Italia ka luajtur një rol të veçantë në historinë e shkëmbimeve mes Kinës e Perëndimit. Në të kaluarën, Rruga e Lashtë e Mëndafshit i lidhi këto dy vende të lashta. Para mbi 700 vjetëve, turisti italian Marko Polo udhëtoi për në Kinë, duke hapur një dritare të njohjes së Kinës nga Perëndimi. Historia e tij dihet nga çdo familje kineze dhe është bërë simboli i miqësisë midis dy vendeve.
Me rastin e 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Itali, kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri vizitën e parë të saj në Kinë. Gjatë takimit të saj të hënën me presidentin kinez Xi Jinping, të dy udhëheqësit përmendën njëzëri “Shpirtin e Rrugës së Mëndafshit”. Presidenti Xi Jinping theksoi se “Shpirti i Rrugës së Mëndafshit”, me thelbin e bashkëpunimit paqësor, hapjes, mësimit nga njëri-tjetri dhe përfitimeve të ndërsjella, është pasuria e përbashkët e Kinës dhe e Italisë. Nga ana e saj, kryeministrja Meloni u shpreh se Italia dëshiron ta trashëgojë këtë shpirt, për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Italisë dhe Kinës.
Foto nga CFP
Pas vendosjes së lidhjeve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Italisë, marrëdhëniet dypalëshe janë zhvilluar mbarë në përgjithësi. Udhëheqësit e të dy vendeve kanë mbajtur kontakte të ngushta afatgjata dhe mekanizmi i dialogut ndërmjet dy qeverive ka funksionuar në mënyrë efektive. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Italisë në Azi dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe i ka kaluar 70 miliardë dollarët për tre vjet radhas. Tani mbi 1600 sipërmarrje italiane po bëjnë biznes në Kinë dhe moda, ushqimet, automjetet etj. nga Italia kanë famë të madhe në Kinë. Si anëtare të rëndësishme të OKB-së dhe të G20-s, Kina dhe Italia promovojnë së bashku multilateralizmin dhe ekonominë e hapur botërore.
Vitet e fundit, situata globale ka ndryshuar shumë dhe rimëkëmbja e ekonomisë botërore është e dobët. Edhe bashkëpunimi kino-italian ka hasur pengesa. Megjithëkëtë, kërkesa për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy palëve vazhdon të forcohet. Politikanë dhe biznesmenë italianë e kanë kuptuar se, si një vend i madh i rëndësishëm, roli i Kinës në përballimin e sfidave globale është i pazëvendësueshëm. Forcimi i bashkëpunimit me Kinën ka rëndësi të madhe për rritjen e ekonomisë italiane.
Gjatë takimit, udhëheqësit e të dy vendeve ishin të një mendimi se duhet të nxitet bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dhe i investimeve dypalëshe në fushën e risive tekniko-shkencore, të automjeteve elektrike, të AI-së etj. Pala kineze i mirëpret sipërmarrjet italiane të investojnë në Kinë e dëshiron të importojë më shumë produkte italiane, dhe njëkohësisht shpreson se pala italiane do t’u krijojë sipërmarrjeve kineze një mjedis biznesi të barabartë, të tejdukshëm, të sigurt e jodiskriminues. Pala italiane e theksoi qartë kundërshtimin ndaj “shkëputjes” e proteksionizmit dhe u shpreh se do të luajë një rol aktiv për nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve kino-evropiane.
Sivjet Kina dhe Italia do të organizojnë së bashku veprimtarinë me rastin e 700-vjetorit të vdekjes së Marko Polos. Kina e përkrah Italinë në organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore 2026. Këto masa do të nxitin shkëmbimet kulturore dhe njerëzore ndërmjet të dy vendeve. (Fani)