Të martën u zhvilluan në Kajro dialogu “Mundësitë globale nga thellimi i reformës së Kinës në epokën e re” dhe aktiviteti i shkëmbimeve njerëzore me rastin e Vitit të Partneritetit Kinë-Egjipt, të organizuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG), Ministria e Turizmit dhe Relikteve e Egjiptit dhe Ambasada e Kinës në Egjipt. Pjesëmarrësit prej të dy vendeve shkëmbyen mendime për mundësitë e zhvillimit global të sjella nga thellimi i reformës së Kinës në epokën e re. Në dialog u shpall gjithashtu nisja e transmetimit të versionit në gjuhën arabe të dokumentarit “Modeli i ri i qytetërimeve njerëzore – Modernizimi kinez” të CMG-së dhe e shumë projekteve të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, televizionit, medias dhe kulturës.
Në fjalimin e mbajtur në dialog, drejtori i CMG-së Shen Haixiong u shpreh se thellimi i reformës në Kinë ka tërhequr vëmendjen botërore. Pak ditë më parë u mbyll në Pekin plenumi i 3-të i KQ të 20-të të PKK-së, ku u miratua vendimi për thellimin e mëtejshëm të reformës dhe promovimin e modernizimit kinez dhe u paraqitën mbi 300 masa reforme. Këto masa do të realizohen deri në vitin 2029, me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Mund të parashikohet se rëndësia e modernizimit kinez do t'i tejkalojë kufijtë shtetërorë. Thellimi i reformës së Kinës do t’i sjellë botës më shumë siguri e mundësi zhvillimi, duke promovuar zhvillimin e përbashkët të njerëzimit, u shpreh Shen.
Në dialog u hap gjithashtu ekspozita e turneut global 2024 "Qytetërimi i Liangzhu-së". (Fani)