Qindra garues nga dhjetëra vende të botës morën pjesë në Maratonën e Enkelanës në Pogradec
2024-07-31 14:29:08

Foto nga CFP

Foto nga CFP

700 vrapues nga 38 shtete të botës garuan mes tyre në edicionin e tretë të “Marathon Enkelana”, zhvilluar në qytetin e Pogradecit.

Gara këtë vit kishte dy disiplina; 21.195 metra Lin-Pogradec dhe 11.500 metra Pogradec-Tushemisht-Pogradec, përcjellë “ATSH”.

Në këtë garë kishte pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kroacia, Gjermania, Turqia, Kanadaja, SHBA-ja, Afrika e Jugut, etj..

Fitues i garës 21.195 metra ishte nga Ukraina, i cili udhëtoi nga ky shtet për të marrë pjesë në garë.

“Është hera ime e parë këtu dhe ishte eksperiencë shumë e bukur, pasi nuk ishte edhe shumë nxehtë. Rruga nuk ishte edhe shumë e vështirë për mua. Fitoren ia kushtoj vendit tim”,- tha ai në një prononcim për mediet.

Për garën 11.500 metra fitues u shpall Bledar Mesi nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

“Ishte një garë e bukur dhe e vështirë. Ky është edicioni i tretë që marr pjesë”, tha Mesi.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë morën masa për ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë dhe pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore. (Irma)