Kreditimi në rritje nga institucionet financiare jobanka
2024-07-31 10:07:24

Dhënie kredie (Foto gazeta bulevard)

Dhënie kredie (Foto gazeta bulevard)

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka vijoi rritjen edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas shifrave, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të muajit mars 2024 arriti në 57.6 miliardë lekë, ose pothuajse 560 milionë euro. Në total portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me 3.2% që nga fillimi i vitit dhe me 14.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023.

Ndryshe nga bankat dhe unionet e kreditit/kooperativat financiare, ofruesit e tjerë jobanka varen nga financimi i jashtëm nga lloje të ndryshme financuesish, duke përfshirë qeveritë, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, investitorët me ndikim dhe bankat lokale. Ofruesit e mikrofinancës kanë një punë më të madhe për të gjetur ekuilibrin e duhur midis misionit social dhe qëndrueshmërisë financiare. Për shkak të llojit të klientëve të synuar dhe madhësisë së kredive të ofruara, ofruesit jo-bankë duhet të përballojnë kosto më të larta operacionale dhe financimi krahasuar me bankat tradicionale. Kjo sfidon çmimin e shërbimeve financiare që ato ofrojnë.

Në një raport mbi ecurinë e sektorit mifrofinanciar në Shqipëri dhe pritshmëritë për të ardhmen thuhet se Shqipëria vazhdon të ketë një kërkesë të fortë për produktet e mikrofinancës.

Veprimtari e Shoqatës së Microfinancës (Foto scan tv)

Veprimtari e Shoqatës së Microfinancës (Foto scan tv)

“Shumica e Institucioneve Financiare Jobanka shqiptare ndjekin një politikë të përgjegjshme sociale që synon individë të përjashtuar financiarisht dhe zona gjeografike të pafavorizuara. Sektori i mikrofinancës mbështet një shkallë të gjerë individësh, biznesesh mikro dhe të vogla dhe segmente të tjerë të tregut, me një fokus të fortë në krijimin e vendeve të punës, ngushtimin e boshllëqeve gjinore në sipërmarrje, dhe ofrimin e zgjidhjeve financiare në një mënyrë të qëndrueshme”,- thuhet në raport.

Tri janë objektivat kryesore të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare:

Promovon edukimin financiar dhe njohuritë financiare, aksesin në financim, financimin e përgjegjshëm dhe atë social, dhe sektorin e mikrofinancës në tërësi; Mbështet konsolidimin teknik dhe institucional të anëtarëve të saj, duke shkëmbyer praktikat më të mira dhe duke identifikuar trendet financiare dhe ekonomike; Përfaqëson kur është e nevojshme, anëtarët e saj në tubime kombëtare ose ndërkombëtare, konsultime legjislative e rregullatore dhe evente biznesi.

Kredia e dhënë nga mikrofinanca përbën rreth 7% të portofolit të total të kredisë për ekonominë shqiptare. Sa i takon ekspozimit të kredisë në rajon nga mikrofinanca ekzistojnë këto shifra.

Mesatarisht, Institucionet e Microfinancës në rajon i shërbejnë një tregu të synuar relativisht të gjerë. Thellësia mesatare e shtrirjes e shprehur si bilanci mesatar i huasë ndaj të ardhurave kombëtare bruto për frymë ishte 56% në 2021 duke përfshirë dhe ekspozimin ndaj kredisë së biznesit. Për kredinë konsumatore, Kosova është vendi me raportin më të lartë të huasë në raport me të ardhurat kombëtare bruto, me 35%, dhe Franca është vendi me raportin më të ulët. Ndërkohë, Shqipëria llogaritet të ketë një raport mesatar prej 18%. Ky i fundit është një tregues i qartë që në Shqipëri Institucionet Financiare Jobanka i shërbejnë një shtrese të ulët ekonomike dhe gjithashtu, shtetasit e shërbyer nuk janë viktimë e mbi kreditimit pasi kompanitë IFJB kujdesen për mos të krijuar një barrë financiare më të lartë se mundësia e ripagesës.

Ndryshe nga bankat dhe unionet e kreditit/kooperativat financiare, ofruesit e tjerë jobanka varen nga financimi i jashtëm nga lloje të ndryshme financuesish, duke përfshirë qeveritë, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, investitorët me ndikim dhe bankat lokale.

Ofruesit e mikrofinancës kanë një punë më të madhe për të gjetur ekuilibrin e duhur midis misionit social dhe qëndrueshmërisë financiare. Për shkak të llojit të klientëve të synuar dhe madhësisë së kredive të ofruara, ofruesit jobanka duhet të përballojnë kosto më të larta operacionale dhe financimi krahasuar me bankat tradicionale. Kjo sfidon çmimin e shërbimeve financiare që ato ofrojnë. Ofruesit e mikrofinancës përdorin një përzierje instrumentesh financiare për të financuar operacionet dhe rritjen e tyre: financimi i borxhit, garancitë, kapitali/fitimet e pashpërndara dhe grantet janë llojet më të zakonshme të përdorura.

Në raport thuhet se financimi i borxhit është çelësi për ruajtjen e rritjes së qëndrueshme për shkak të kufizimeve në marrjen e depozitave për shumicën e llojeve institucionale.

“Instrumentet e ndarjes së rrezikut, në formën e garancive publike, lejojnë ofruesit e mikrofinancës që të vazhdojnë të kujdesen për klientët vulnerabël me rrezik më të lartë dhe të ofrojnë financa fillestare. Grantet dhe huatë e buta luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e ofruesve të mikrofinancës në fazat fillestare të ciklit të tyre jetësor dhe u mundësojnë atyre të ofrojnë shërbime jofinanciare. Kur ofruesit e mikrofinancës janë më të pjekur dhe më tërheqës për investime private, ata mund të jenë në gjendje të kenë akses në financimin e kapitalit. Për të ofruar një pasqyrë të nevojave për financim të ofruesve të mikrofinancës”,- thuhet në raport.

Vendin e parë të volumeve të disbursimit e zënë bizneset të të gjitha llojeve (51% të totalit të disbursuar) e më pas individëd (34% të totalit të disbursuar). E parë nga numri i kredive të disbursuara, sektori i mikrofinancës është i fokusuar më së shumti tek individi, (75% e kredive të disbursuara).

“Aktiviteti kredidhënës ka pasur rritje të vazhdueshme, pa përmendur vitin pandemik 2020, duke u nisur dhe nga rregullimet e shpeshta të tregut të kryera nga Banka e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, individë kanë pasur më shumë hapësirë për të investuar në jetën dhe sipërmarrjet e tyre nëpërmjet financimit”,- thuhet në raportin e Microfinancës.

Kreditë(Foto dosja.al)

Kreditë(Foto dosja.al)

Në raport theksohet edhe impakti në ekonomi.

“Sektori i Mikrofinancës ka një zgjerim të madh fizik dhe si pasojë dhe një fokus në punësimin e duhur për të qënë në shërbim të klientit me cilësi dhe korrektësi. Gjithashtu sektori punëson profesionistë të gjitha moshave duke pasur një fokus në moshën 30-45 vjeç të cilët janë dhe mosha e cila vendos ekonominë më shumë në lëvizje. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet rritja e numrit të përfaqësuesve femra në nivel të lartë menaxherial. 63% e kompanive kane staf drejtues femra nga 41%-60%”,- thuhet në raport.

Për të parë nevojat e qytetarëve për kredi, Microfinanca ka kryer edhe një studim.

“Vetëm 8% e të intervistuarve kanë arritur të kursejnë para për diçka më të madhe.74% deklarojnë se mund të mbyllin muajin, por kursimi i parave është i vështirë. 42% janë munduar të ulin shpenzimet për mos të marrë kredi gjatë vitit 2023, kjo pasi ata kanë tashmë një të tillë. 40% e të intervistuarve kanë hasur tepër vështirësi dhe u është dashur të marrin kredi. 58% kanë deklaruar se kanë para për blerje e domosdoshme por jo për blejre të mëdha elektroshtëpiake. 16.5% nuk mund të blejnë as rroba dhe 3.4% u duhet të tregohen të kujdesshëm dhe me ushqimin. Kryesisht kategoritë e fundit janë pensionistë”,- tregon studimi.

Në gjetjet për vitin 2023 thuhet se gati 95% e të gjithë të anketuarve ranë dakord që shpenzimet familjare përqendrohen te pagesa e faturave të: ujësjellesit, energjisë elektrike, pagesa e internetit. 60% kishin makinë në shtëpi dhe u nevojitej një buxhet për mirëmbajtjen saj. Ndërsa, veshjet, farmaceutika, kontrollet e shëndetit, shkolla e fëmijëve, ndodhnin si shpenzime tek 50% të të intervistuarve.

Të intervistuarit kanë përdorur paralelisht disa nga shërbimet njëkohësisht, si edhe kartën e kreditit edhe kredinë në bankë. Por, ka edhe nga ata që kanë marrë kredi në një institucion jobankë dhe njëkohësisht kanë përdorur edhe produktet e bankës. 

“Sa i takon pritshmërive ekonomike për këtë vit, thuhet se gjatë këtij viti do të tregohet kujdes pasi për blerje të mëdha duket se të gjithë do t’i bëjnë mirë llogaritë e tyre. Mbi 80% e të intervistuarve nuk kanë ndërmend të bëjnë blerje për mobilje, makinë, pajisje elektronike apo të kryejnë rinovime të mëdha në shtëpi”,- thuhet në raport.

Sipas Microfinancës, në vitin 2017 ishte pothuajse një tabu për gjininë femërore të merrte një kredi e vetme, por tashë shifrat flasin për një përmbysje të kësaj situate.

“Si pasojë e dokumentacioneve të reduktuara dhe procesit të lehtë të kredidhënies, në vitin 2022 pati një rritje prej 263% të femrave të financuara. Gjithashtu prezenca e gjerë me pika fizike ka bërë të mundur që mundësia e financimit të penetrojë dhe në zona të cilat nuk kanë një degë banke në afërsinë e tyre. Vihet re një rritje konstante në zonat urbane për shkak të lëvizjes brenda vendit dhe emigrimit të vazhdueshëm të qytetarëve”,- bëhet e ditur në raport.

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, prej më tepër se 25 vjetësh në treg, bashkon institucionet financiare jobankare më të konsoliduara, me aktivitet kryesor kredidhenien, të cilat së bashku përfaqësojnë një portofol aktiv kredie prej 39 miliardë lekësh (rreth 329 milionë euro), me mbi 173.000 klientë aktive (shifrat e fundvitit 2022).

Kredia e dhënë nga mikrofinanca përbën rreth 7% të portofolit total të kredisë për ekonominë shqiptare.

Banka e Shqipërisë po punon edhe për ndryshime rregullatore, që pritet të sjellin shtrëngime të ndjeshme për kredidhënien e institucioneve mikrofinanciare ekzistuese, veçanërisht atyre që japin kredi të shpejta, duke synuar të kufizojë huadhënien dhe bazën e klientelës në mikrofinancën konsumatore.