Ditmar Bicaj: Nga shkëlqimi në fushë tek analiza e ndeshjeve
2024-07-31 11:21:40

Ditmar Bicaj është një ish-futbollist shqiptar, që ka treguar aftësi të shkëlqyera si lojtar në fushë, dhe aktualisht është trajner i ekipit të Burrelit, ku vazhdon të ndjekë objektivin e tij për të arritur sukses në Superligën shqiptare. Përkushtimi i tij, pasioni për futbollin dhe aftësia për të bashkëpunuar me ekipin, tregojnë se ai është i vendosur për të arritur synimet dhe për të kontribuar në zhvillimin e futbollit shqiptar.

Kombetarja shqiptare e futbollit ( foto shqiptarja.com)

Kombetarja shqiptare e futbollit ( foto shqiptarja.com)

Po ashtu, ai është edhe një analist sportiv, që ka ofruar një vlerësim të hollësishëm për performancën e kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian të Futbollit. Ai shprehet optimist për të ardhmen e kombëtares shqiptare dhe beson se përfaqësimi i mirë i saj është një hap i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e futbollit shqiptar.

Ditmar Bicaj ne studion e Radio Ejani

Ditmar Bicaj ne studion e Radio Ejani

CMG: Si ishte Kampionati Europian i Futbollit për ju dhe si e keni përjetuar angazhimin tuaj si analist?

Ditmar Bicaj: Mendoj se ka qenë një talent i fshehur për mua që të komentoja njëra pas tjetrës ndeshjet. Jam përpjekur që mos të refuzoj askënd dhe kam qenë tepër prezent në media. Kam pasur shumë dëshirë që të jem opinionist futbollistik. Europiani ishte pak i lodhshëm, por me shumë dëshirë dhe pasion në çdo ndeshje uroj të kem dhënë më të mirën në komentimin dhe analizën e plotë të tyre.

Ditmar Bicaj (foto personale)

Ditmar Bicaj (foto personale)

CMG: A mund të bëhet një ndarje te gjykimi i ndeshjes si ish-futbollist dhe si fans i kombëtares?

Ditmar Bicaj: Si ish-futbollist e shoh të lodhshme, duke parë edhe ngjeshjen e takimeve, sepse mbaronte një ndeshje dhe më pas niste tjetra dhe kjo të jepte pak kohë për t’u bërë gati, sidomos për stafet teknike. Kompeticioni nisi shumë mirë, por në fazën e dytë, atë të grupeve, vumë re shumë ekipe që nuk po na dhuronin atë që kishim ngritur ne vetë si pritshmëri; shënuan pak gola. Anglia, Franca etj., shkuan në gjysmëfinale apo finale me pak gola dhe kjo vjen si pasojë e konsumimit që kanë tek ekipet e tjera.

CMG: Kombëtarja shqiptare si u përfaqësua?

Ditmar Bicaj: Mendoj se pavarësisht grupit të ferrit ku ra kombëtarja shqiptare e futbollit, bëri një lojë tepër të bukur dhe dinjitoze. Përfaqësimi ynë mund të ishte edhe më mirë, por mendoj se duhet të jemi të kënaqur me lojën që ata bënë.

CMG: Merita e kujt ishte që ne arritëm deri në atë pikë?

Ditmar Bicaj: Patjetër që fillimisht merita ishte e stafit. Trajneri Sylvinjo erdhi pa shumë bujë, por solli risi te kombëtarja shqiptare. Ai pati notën 10 për këtë përfaqësim të kombëtares, pasi i dha mentalitet fituesi skuadrës.

Ditmar Bicaj (foto personale) (3)

Ditmar Bicaj (foto personale) 

CMG: A kemi ne një ekip egoist në fushën e lojës apo jemi bashkëpunues?

Ditmar Bicaj: Ne jemi tepër bashkëpunues si ekip dhe kjo gjë është ndjerë edhe në këtë Europian. Normalisht që kemi sfidat dhe problemet tona të brendshme, por grupi është përpjekur të japë maksimumin në skuadër duke bashkëpunuar. Këtu është edhe dora e trajnerit, i cili ka bërë të pamundurën që t'i mbajë ata bashkë.

CMG: Si ish-futbollist, si e përjetojnë lojtarët të pasurit kaq shumë tifozeri të zjarrtë?

Ditmar Bicaj: Nëse do t’i jepja dikujt notën 10, atë do t’ia jepja tifozerisë shqiptare. Asnjë skuadër tjetër europiane nuk mori atë vëmendje që ka marrë kombëtarja shqiptare e futbollit.

CMG: Si ndiheni ju si ish-lojtar që ekipi shqiptar mbërriti në qendër të mediave ndërkombëtare?

Ditmar Bicaj: Kjo ishte ajo që i duhej Shqipërisë, të flitej për të në këto nivele. Ka qenë shumë e rëndësishme, ndaj kjo mund të cilësohet si një ndër arritjet kryesore.

CMG: Cili është angazhimi tuaj aktual?

Ditmar Bicaj: Pasi lashë futbollin e luajtur sezonin e kaluar mora një detyrë të re si zëvendëstrajner tek ekipi i Flamurtarit të Vlorës. Tani jam trajner i ekipit të Burrelit, ekipi i parë. Shpresoj të bëj më të mirën aty. Objektivi im është Superliga shqiptare. Duhet shumë punë, por sfidat nuk më trembin.

Përgatiti: Megi Latifi