Foto nga VCG
Temperaturat në Shqipëri pritet të rriten me 1.5 gradë celsius deri në vitin 2050, shumë mbi rritjen prej më pak se 0.5 gradë të vëzhguar në vend gjatë 50 viteve të fundit. Gjithashtu, ndryshimet në reshjet vjetore të shiut ka mundësi të rrisin shpeshtësinë dhe madhësinë e përmbytjeve në vend.
Në studimet e Bankës Botërore prej vitesh theksohet se ndryshimet e parashikuara në temperaturë dhe reshje shiu në Shqipëri pritet të rrisin cënueshmerinë e sektorit të bujqësisë ndaj këtyre ndryshimeve, në mungesë të një reforme të qartë dhe të plotë.
Siguria ushqimore mbetet një sfidë kryesore e zhvillimit në gjithë globin, ku disa parashikime vlerësojnë që nevoja për rritjen e prodhimit bujqësor do të jetë 70-100% deri në vitin 2050. Por, nga ana tjetër, disponueshmëria e ujit për ujitje do të kufizohet shumë nga ndryshimi i klimës. Kjo do të përkeqësojë shumë ndikimet e ndryshimit të klimës mbi të korrat, sidomos kulturat me ujitje, me një reduktim të mundshëm të rendimentit prej 20-50 për qind deri në vitin 2050.
Foto nga VCG
Sa do ta cënojnë ndryshimet klimaterike bujqësinë shqiptare?
Studimet e Bankës Botërore mbi ndikimet e ndryshimeve klimaterike mbi bujqësinë në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore tregojnë që ndryshimet e parashikuara në temperatura dhe reshje shiu në Shqipëri pritet të kenë efekt në sektorin e bujqësisë.
Skenarët e modelimit të klimës me ndikim mesatar tregojnë që ndryshimet e parashikuara në rendimentet e të korrave në gjithë vendin po ndryshojnë sipas zonave dhe kulturave.
Me qëllim që në një anë të kompensojë ndikimet negative të këtyre skenarëve të parashikuar dhe nga ana tjetër të mbështetet në mundësitë e krijuara nga ndryshimet klimaterike, parashikohen një varg të alternativave të adaptimit, të përshtatura për të ofruar udhëzime specifike mbi mënyrën se si Shqipëria mund të reduktojë cënueshmërinë e sektorit të saj bujqësor ndaj ndryshimit të klimës.
Bujqësia tashmë duhet përshtatur ndaj klimës, gjë që nënkupton një qasje tjetër. Kjo qasje e re thekson nevojën për praktika bujqësore të cilat në të njëjtën kohë mund të rrisin produktivitetin në klimën e sotme, të ndërtojnë elasticitetin ndaj ndryshimit të klimës dhë të ulin shkarkimet e gazrave serë, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme ndaj sfidave që paraqet një klimë globale në ndryshim.
Foto nga VCG
Çfarë është bujqësia inteligjente?
Garantimi i sigurisë ushqimore në një klimë që po ndryshon është një sfidë e rëndësishme dhe e ngutshme e zhvillimit në botën e sotme. Parashikimet vlerësojnë që prodhimi i ushqimit në gjithë globin duhet të shumëfishohet, që të plotësohen kërkesat e një bote me miliarda njerëz.
Si pjesë e përpjekjeve për të trajtuar sfidat e sigurisë ushqimore dhe ndryshimit të klimës, po zhvillohet një qasje e re ndaj bujqësisë. E njohur si “bujqësi inteligjente ndaj klimës”, ajo thekson nevojën për praktika bujqësore, të cilat njëkohësisht mund të rrisin produktivitetin në klimën e sotme, të ndërtojnë elasticitetin ndaj ndryshimeve klimaterike dhe të reduktojnë shkarkimet e gazeve serë, duke kontribuar në një fitore të trefishtë në sektorin bujqësor dhe duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme të sfidave që paraqet një klimë globale në ndryshim.
Ndryshimi i klimës është tashmë duke ndodhur në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore dhe po përshpejtohet, duke përforcuar nevojën për zgjidhje të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata, të cilat mund të ndihmojnë gjithkënd që është i përfshirë në bujqësi që të reduktohen ndikimet negative.
Ndryshimet në modelin e reshjeve, temperaturat në ngritje dhe rritjet e shpeshtësisë dhe ashpërsisë së fatkeqësive natyrore po i detyrojnë njerëzit të trajtojnë këto ndikime me mënyra të reja dhe novatore dhe të fillojnë të përshtaten ndaj një klime në ndryshim. Megjithëse ndryshimet klimaterike dhe efektet e tyre mbi bujqësinë do të kenë një ndikim mbi popullatën globale në përgjithësi, me popullatën rurale që është më e prekshme.
Nëpërmjet mbështetjes së bujqësisë inteligjente ndaj klimës dhe masave të zbatimit që përmirësojnë prodhimin bujqësor, me uljen e shkarkimeve dhe rritjen e elasticitetit ndaj ndryshimit të klimës, sektori i bujqësisë në rajon po bën përpjekje për të siguruar qëndrueshmërinë e bujqësisë në dhjetëvjeçarët që do të vijnë.
Përgatiti: N. Kraja