Pastrimi i Porto Palermos, fushatë për sensibilizimin për kujdesin ndaj mjedisit të përbashkët
2024-07-31 15:46:50

Në kalanë e Porto Palermos, në qarkun Vlorë, pritet të zhvillohet “Porto Palermo Festival”, i organizuar nga violinisti i njohur shqiptar, Olen Cezari, që sjell figura të rëndësishme të botës së artit dhe jo vetëm.

Në prag të nisjes së edicioni të këtij viti, me ndihmën e vullnetarëve bëhet pastrimi i të gjithë zonës. Kjo është një fushatë e cila ka në thelb sensibizimin e qytetarëve për kujdesin që duhet të tregojnë ndaj mjedisit të përbashkët, shkruan “ATSH”.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, iu bashkua grupit të vullnetarëve për pastrimin e zonës përreth kalasë së Porto Palermos, duke e cilësuar atë një nga zonat më të bukura të vendit, si për nga mjedisi, historia dhe kultura.

“Shpresoj që kjo mos mbetet vetëm me një ditë pastrimi nga vullnetarët apo disa ditë në vit, por të jetë një praktikë që Bashkia e Himarës duhet ta zhvillojë. Porto Palermo është një perlë e Shqipërisë dhe do një vëmendje të shtuar”,- deklaroi Balluku.

Ajo e konsideron më rëndësi ndërgjegjësimin e qytetarëve për kujdesin që duhet të tregojnë e që duhet të nisë që nga moshat më të reja, pasi vetëm ndërhyrjet përmes strukturave shtetërore nuk mjaftojnë nëse nuk bashkëpunojnë të gjithë.

“Propozimi për të vendosur në kurrikulën që nga klasa e parë deri në klasë të nëntë një lëndë e cila do të jetë dedikuar ekologjisë, besoj se do të jetë zgjedhja më e mirë”,- nënvizoi ministrja Balluku.

Për Olen Cezarin kjo nismë është një mesazh për qytetarët për kujdesin që duhet të tregojnë ndaj mjedisit dhe ruajtjes së tij. (Irma)