Eksportet (Foto Atsh)
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se eksportet shënuan rritje në mbi 60 mijë tonë, kundrejt gati 49 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, citon “ATSH”.
“Eksportet bujqësore vijuan trendin rritës edhe gjatë muajit qershor, me një rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë. Përmirësimi i cilësisë dhe standardeve të produkteve shqiptare ka rritur prezencën e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare”,- bëri të ditur ministrja Denaj.
Ajo theksoi se klima e favorshme, afërsia me tregjet europiane, mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara, si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët, e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë, por veçanërisht në bujqësi.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, fruta, peshk të konservuar etj. (Irma)