Entuziazmi i të rinjve kinezë për shëndetin nxit përhapjen e mjekësisë bimore
2024-07-31 15:39:45

Në një bar shëndetësor të "Tong Ren Tang"-ut, një prodhues i barnave të mjekësisë tradicionale kineze (TCM) i themeluar në shekullin e 17-të, një student me emrin Feng pret në radhë për të blerë një kafe me qumësht me kokrra gogji - një bimë e lashtë mjekësore e njohur për mbrojtjen e mëlçisë dhe përmirësimin e shikimit.

Çaji Boba me xhensen dhe kafeja e stilit amerikan me mangostin janë gjithashtu zgjedhje shumë të preferuara për klientët e rinj në këtë lokal.

një bar shëndetësor të "Tong Ren Tang"/CFP

"Më pëlqen ky lloj i ri konsumi, sepse është i shëndetshëm dhe i përshtatshëm,” thotë Feng.

Shëndeti dhe mirëqenia janë fokusi kryesor i personave në moshë të mesme dhe i të moshuarve. Sot, gjithnjë e më shumë të rinj po ndjekin këtë mënyrë jetese të shëndetshme, duke krijuar një prirje të re të përshtatshme për ta në tërë vendin.

Zheng Wanying, punonjëse në një kompani letrash me vlerë në Pekin, e fillon zakonisht ditën e saj me një filxhan çaji të bërë në shtëpi të mbushur me xinxife, longan dhe petale trëndafili. Në mbrëmje, ajo qetësohet me një banjë këmbësh që përmban uthull, xhenxhefil dhe piper të Sichuan-it.

"Çaji i luleve dhe frutave promovon qarkullimin e gjakut dhe zbardhjen e lëkurës, ndërsa banja e këmbëve lehtëson problemin e të ftohtit dhe të ënjtjes." 30-vjeçarja thotë se këto teknika kundër plakjes do ta ndihmojnë të mbajë një pamje rinore.

Në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore, të rinjtë shijojnë masazhet tradicionale kineze në stolat e rrugës pranë Universitetit të Guangxi-së.

Për punonjësit e rinj të zyrës që qëndrojnë gjithë ditën të ulur para tryezës së punës dhe që vuajnë nga dhimbjet e shpatullave dhe qafës, Spitali i Mjekësisë Kineze i Provincës Zhejiang ka ofruar shërbime ambulatore të masazhit në mbrëmje, për të përmbushur kërkesën e tyre në rritje për lehtësim dhimbjeje pas punës.

Një sondazh i kryer nga gazeta "China Youth Daily" në fund të vitit të kaluar tregon se 79.9 % e 1000 të rinjve të anketuar kishin marrë njohuri mbi filozofinë dhe terapinë tradicionale mjekësore kineze, nga të cilët 51.9 % i kishin marrë këto njohuri nga platformat e mediave sociale.

Fan Su, mjek në Spitalin "Wangjing" pranë Akademisë së Shkencave Mjekësore Kineze, ka vërejtur një ndërgjegjësim në rritje për mjekësinë tradicionale kineze (MTK) dhe ruajtjen e shëndetit ndër të rinjtë.

"Sidomos kur ndihen sikur do të sëmuren, por nuk i kanë arritur kriteret diagnostikuese të mjekësisë perëndimore, shumë të rinj kërkojnë ndihmë nga mjekësia tradicionale kineze”, shprehet ajo.

Li Zhilin, punonjës në një kompani fillestare interneti, e pranon konceptin e "parandalimit të sëmundjes përpara se të ndodhë". Ai beson se njeriu duhet të monitorojë në vazhdim gjendjen shëndetësore dhe të trajtojë menjëherë çdo çështje shëndetësore, qoftë fizike apo mendore.

Ngarkesa e rëndë e punës bën që Li të vuajë nga stresi i tepruar. Pasi ndoqi një regjim që kombinon frymëmarrjen dhe akupunkturën në një bar shëndetësor, ai rifitoi paqen mendore dhe u bë më efikas në punë. "Shëndeti i mirë është thelbësor për të pasur energji për t'u angazhuar plotësisht në punë dhe jetë," thotë ai.

Disa të rinj shpenzojnë energji e kohë në këtë urtësi të lashtë, përveç provimit të terapive të MTK-së.

Një program i mësimit të mëtejshëm mbi MTK-në, i organizuar nga Universiteti i Mjekësisë Tradicionale Kineze i Shangdong-ut, ka tërhequr disa të rinj këtë vit. Jiang Fei, për shembull, u bë i etur për të kuptuar teorinë e bimëve mjekësore pasi u shërua nga një sëmundje me ndihmën e tyre.

Liu Dong, pronari i një bari shëndetësor në Pekin, mendon se magjepsja e brezit të ri me MTK-në lidhet me politikat përkatëse mbështetëse të vendit dhe efikasitetin e dukshëm të bimëve mjekësore në trajtimin e COVID-19.

Në vitin 2022, Këshilli i Shtetit nxori një plan për të forcuar zhvillimin e MTK-së gjatë periudhës së planit të 14-të pesëvjeçar (2021-2025), me synimin për të ndërtuar një sistem shërbimi të MTK-së efikas dhe cilësor.

Shkollat fillore dhe të mesme në tërë Kinën po ofrojnë mësime ose aktivitete të përshtatshme mbi MTK-në, duke u ofruar fëmijëve e adoleshentëve një dritare për kulturën e mjekësisë tradicionale.

Entuziazmi i të rinjve për shëndetin gjallëron pasionin shoqëror për bimët mjekësore të njohura prej kohësh, duke i shtuar një aromë moderne kësaj trashëgimie të shenjtë kulturore.

"Bimët e vjetra po na mbajnë të shëndetshëm në mënyra të reja," thotë Feng. "Kjo është forca magjepsëse e MTK-së."(Xu Guang)