Kryeministri Rama (Foto Gazetashqiptare)
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se fitorja e mandatit të katërt të socialistëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2025 do t’i kushtohet mbylljes me sukses të procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, citon “ATSH”.
“Mandati ynë i katërt do të jetë mandati i pathyeshmërisë së sigurt të progresit të pandalshëm, mandati i mbledhjes së shumë fryteve të tjera të punës së gjatë e të vështirë të këtyre viteve në drejtimin e Shqipërisë. Mandati i një pune të jashtëzakonshme për nga volumi dhe nga sfidat për ta kapërcyer kthesën e madhe historike që nisëm një dekadë më parë dhe për ta mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE”,- deklaroi Rama.
Ai theksoi se Kuvendit të ri nuk do t’i mjaftojë vetëm përvoja e domosdoshme e deputetëve me vjetërsi, me ndërgjegje dhe me përgjegjshmëri në përfaqësimin e PS, por do t’i duhen dhe dijet, aftësitë dhe dëshira e të rinjve që do të bëhen pjesë në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Sipas Ramës bëhet fjalë për figura të reja publike, me eksperienca të ndryshme pune, me energji, me ambicie, me vullnet për Shqipërinë pavarësisht moshës, gjinisë, pavarësisht, mbiemrit apo pasurisë. (Fatosi)