Sulmet ruse (Foto Atsh)
Forcat Ajrore Ruse përdorën bomba dhe avionë luftarakë në një sulm të fuqishëm në rajonin e Kharkivit në Ukrainën lindore, sipas një deklarate të Shtabit të Përgjithshëm në Kiev, njofton “ATSH”.
“Vovchansk, një qytet i vogël, u godit nga të paktën gjashtë bomba rrëshqitëse. Sulmet ruse u përqendruan gjithashtu në Pokrovsk. Ushtarët ukrainas zmbrapsën 16 sulme”, thuhet në njoftimin e Ushtrisë ukrainase.
Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Kanali ushtarak pro-qeveritar ukrainas “Deep State” raportoi së fundi në “Telegram” se fshati Progres në rrethin e Pokrovsk, për të cilin ishte luftuar për tre muaj, ishte pushtuar nga trupat ruse.
Ekspertët ushtarakë perëndimorë konfirmuan që trupat ruse kishin marrë kontrollin e shumë qyteteve dhe fshatrave në Ukrainën lindore që nga fillimi i vitit. (Fatosi)