Ministri Hasani me homologun boshnjak (Foto Rtsh)
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, priti të hënën në një takim homologun boshnjak, Elmedin Konakoviç.
Në një deklaratë të përbashkët për media, ministri Hasani deklaroi se potenciali i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe është ende i pashfrytëzuar.
“Rihapja e ambasadave respektive është vullnet për intensifikimin e marrëdhënieve. Integrimi në BE është një dinamikë pozitive për integrimin e rajonit”,- tha ministri, citon “ATSH”.
Kryediplomati shqiptar theksoi se statusi kandidat i Bosnjë-Hercegovinës është stimul i fuqishëm në rrugën e afrimit me BE-në dhe se Shqipëria është e gatshme për të ofruar asistencë teknike.
Hasani tha se integrimi ekonomik rajonal është prioritet që sjell përfitime të prekshme.
Ai u shpreh se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Konakoviç tha se ndihej si në shtëpinë e vet pasi u takua me përfaqësuesit e komuniteti boshnjak në Shqipëri.
“Ata kanë shumë vite këtu dhe përsëri vazhdojnë të flasin gjuhën tonë dhe janë integruar në të njëjtën kohë në Shqipëri. Kjo tregon dhe njëherë se sa fort jemi ne të ndërlidhur së bashku dhe ju falënderoj për këtë”,- u shpreh ai.
Konakoviç tha se do të promovojë faktin që Shqipëria të jetë një destinacion turistik për boshnjakët. (Fatosi)