CMG-ja dhe "La Liga" spanjolle thellojnë bashkëpunim dypalësh
2024-07-30 14:43:41

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Të hënën, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Liga Spanjolle e Futbollit ("La Liga") nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në Madrid. Të dy palët arritën marrëveshje për shtimin e shkëmbimeve, organizimin e përbashkët të ndeshjeve dhe mbështetjen për futbollin e të rinjve. Drejtori i CMG-së, Shen Haixiong, dhe presidenti i "La Liga"-s, Havier Tebas, nënshkruan kontratën në emër të të dy palëve.


Shen u shpreh që shkëmbimet dhe bashkëpunimi në fushën e sportit janë një pasuri e çmuar për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Spanjë. Megjithëse të dy vendet kanë kultura të ndryshme, ata kanë të njëjtën dashuri për futbollin dhe sportet. Sistemi i zhvillimit profesional të futbollit në Spanjë ka prodhuar një numër të madh talentesh në futbollin botëror dhe fitorja e fundit e Spanjës në Kampionatin Europian është një tjetër konfirmim i suksesit të këtij sistemi.


Shen theksoi që CMG-ja ka një personel prej më shumë se 2000 vetash të përfshirë në transmetimin dhe raportimin e Lojërave Olimpike të Parisit, duke ofruar për herë të parë prodhimin e sinjaleve publike ndërkombëtare 8K për ceremoninë e mbylljes dhe garat e atletikës, si edhe duke përmirësuar më tej nivelin e prodhimit, transmetimit dhe raportimit të veprimtarive sportive ndërkombëtare. CMG-ja dhe "La Liga" kanë arritur një konsensus të rëndësishëm mbi çështjet që lidhen me transmetimin lidhur me veprimtaritë e "La Liga"-s, dhe do të punojnë së bashku për të promovuar aktivisht bashkëpunimin strategjik të gjithanshëm mes dy palëve, në mënyrë që dashamirët kinezë të futbollit dhe publiku kinez në përgjithësi të gëzojnë ndeshje të nivelit të lartë të "La Liga"-s dhe përmbajtje më të larmishme futbolli nëpërmjet platformave të ndryshme të CMG-së.


Tebas u shpreh nga ana e tij që ky bashkëpunim nuk është vetëm një integrim i thellë i kulturës së futbollit mes Spanjës dhe Kinës, por gjithashtu edhe një moment i rëndësishëm historik në shkëmbimet sportive dhe kulturore mes dy vendeve. Ai shprehu shpresën që dy palët do të vazhdojnë të konsolidojnë themelin e bashkëpunimit me anë të futbollit, do të eksplorojnë aktivisht rrugë të reja bashkëpunimi dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e futbollit global.


Sipas memorandumit, të dy palët do të arrijnë një partneritet strategjik për të nxitur zhvillimin e futbollit në Kinë e në botë, do të organizojnë bashkërisht aktivitete të shkëmbimeve kulturore të futbollit për të nxitur komunikimin mes klubeve të futbollit të të gjitha niveleve të të dy vendeve, si edhe do të mësojnë nga sistemi i përsosur i trajnimit të të rinjve dhe përvoja e përparuar e "La Liga"-s, për të nxitur së bashku zhvillimin e trajnimit të futbollistëve të rinj në të dy vendet.


 "La Liga" u formua në vitin 1982 dhe e ka selinë në Madrid. Ajo ka një sistem të plotë profesional, si 20 klube të kategorisë A dhe 22 klube të kategorisë B.  "La Liga"  është një nga pesë kampionatet kryesore të futbollit në Europë. (Jiang Lei)