Vladimir Mako, një jetë mes artistëve në Shqipëri dhe Greqi
2024-07-29 10:40:54

Vladimir Mako (Foto personale)

Vladimir Mako me kolege (Foto personale)

Bebeka Alla ne dhomen e grimit duke rregulluar artistet para shfaqjes (Foto personale)

Vladimir Mako ka punuar për një kohë të gjatë si teknik në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Ai emigroi në shtetin grek pas viteve ‘90. Falë njohjes me disa teknikë grekë, që kishin ardhur bashkë me artistë grekë në Shqipëri, Vladimiri gjeti mbështetjen e tyre për t’u punësuar në të njëjtin profesion në Teatrin e Dramës në Athinë, ku punoi për disa vite, derisa doli në pension. Në një intervistë për “Radio Ejani”, ai tregon për vitet e punës në TKOB, largimin nga vendi dhe eksperiencën në Athinë.

CMG: Sa vite ke punuar si teknik në Teatrin e Operës dhe Baletit?

Vladimir Mako: Unë kam punuar 25 vjet në TKOB dhe kam ikur në momentin kur u bënë ndryshimet e mëdha, pas viteve ‘90. Kisha lidhje me teknikë grekë që kishin ardhur në Shqipëri kur vinin këngëtarët grekë dhe ata më ndihmuan jashtë mase që gjeta vendin e përshtatshëm në Athinë, ku punova në të njëjtin profesion.

CMG: Cilat janë kujtimet e punës 25-vjeçare si teknik në TKOB?

Vladimir Mako: Kam kujtimet më të bukura. Shpeshherë kur takohem me kolegët e Operës, kur vijnë në Athinë, kujtojmë me nostalgji vitet që kemi kaluar bashkë. Mbi të gjitha janë turnetë e atëhershme, që mendoj se nuk mund të bëhen më sot. Kemi shkuar nga veriu në jug të Shqipërisë me Operën dhe Ansamblin, ku populli na priste me dashuri të madhe. Kur u zhvillua shfaqja e operës “Skënderbeu” në Krujë, ka qenë gjëja më madhështore e arritur. Por, s’mund të harrohet as puna brenda në sallën e Operës, ku bënim përgatitje për premiera. Kishim një dashuri të madhe, sepse na dhimbsej çdo gjë. Unë skenën e quaja shtëpi të dytë.

CMG: Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me kolegët gjatë viteve të punës në opera?

Vladimir Mako: Kam pasur marrëdhënie shumë të mira, sepse të punosh në teatër nuk mund të bëhet puna vetëm nëse nuk shkon zinxhir gjithë procesi, që nga tekniku i zërit,dekorit, nga butafiristi dhe me radhë të tjerat. Ndryshe nuk bëhet shfaqja dhe nuk mund të dalë një premierë në kohën e duhur. Ne nuk kishim zënka dhe inate me njëri-tjetrin, por ishte dashuria që të gjithë kishim për punën. E gdhinim me orë të tëra kur ishin shfaqjet e koncerteve të majit, ku dekorin e kishte bërë piktori i madh Hysen Devolli. Madje, për një lulëkuqe kemi ndenjur gjithë natën se si ta ndriçonim që të dilte sa më origjinale. Janë disa gjëra që kur i kujtoj, them me vete si ka mundësi që i kemi bërë.

CMG: Kohët e fundit ke publikuar në profilin tënd në “Facebook” disa foto me artistë të TKOB-it. Ke nostalgji për atë periudhë?

Vladimir Mako: Dua shumë gjëra t’i mbaj sekret për veten time, sepse janë të mijat. Skena për mua dhe për të gjithë kolegët ishte bërë shtëpia e dytë, ku ne më shumë kohë kalonim në teatër sesa në shtëpi. Kishim prova dhe më pas fillonte shfaqja, pra ishin shumë gjëra. Për të punuar në teatër, nëse nuk e do atë punë, më mirë mos puno. Nëse nuk ke dashuri për skenën, është e kotë të rrish në të.

CMG: Ke mbi 30 vjet që jeton në Greqi. Si ishte në fillim integrimi në shtetin fqinj?

Vladimir Mako: Unë isha me fat që më ndihmuan disa teknikë grekë që kisha njohur në Shqipëri, të cilët kishin ardhur në Opera. Duke qenë inspektor skene, i shoqëroja nëpër turnetë në vend. Ata më ndihmuan jashtë mase dhe më gjetën punë në teatër. Ishin pak ato vështirësitë e fillimit. U ndesha me pajisjet moderne që nuk i kisha parë më përpara. U përpoqa t’i mësoja. Rrija tërë natën duke i provuar se si funksionin, që të dija t’i përdorja të nesërmen.

CMG: Si ka qenë si eksperiencë puna juaj si teknik në Teatrin e Athinës?

Vladimir Mako: Unë kam punuar në Teatrin e Dramës në Athinë, sepse Teatri i Operës atëherë sapo kishte filluar të ndërtohej i ri, me një teknikë të paarritshme ku me një lëvizje dore hapje dhe mbyllje dritat, nuk kishte nevojë të shtypje butona. Fillimisht nisa në një teatër shumë të vogël, që quhej “Furra”, ku personi e kishte pasur furrën e gjyshit dhe e kishte bërë teatër, një kryevepër e vogël. Gjithashtu kam punuar edhe në Teatrin Shtetëror, ku aty mbylla ciklin e punës dhe dola në pension. Ishte një lloj teknike tjetër, më e përparuar se teknika jonë e atëhershme.

Vladimir Mako me artiste shqiptare (Foto personale)

Vladimir Mako me valltaret Lili Cingu dhe Rexhep Celiku (Foto personale)

CMG: Vjen shpesh në Shqipëri dhe për çfarë të merr më shumë malli për vendlindjen?

Vladimir Mako: Kam dy-tre vjet që s’e kam vizituar Shqipërinë për arsye shëndetësore. Njerëzit e dashur të familjes, nëna dhe babai, kanë ndërruar jetë, dhe nuk kam asnjë njeri tjetër aty. Kam vetëm shokët. Kur gjendem në Tiranë, ata më presin dhe më bëjnë shoqëri, nuk më lënë vetëm.

CMG: Mban kontakte me kolegët dhe miqtë tuaj?

Vladimir Mako: Mbaj shumë kontakte me ish-inxhinierin e TKOB-it, i cili ka qenë një djalë i shkëlqyer dhe profesionist me shumë iniciativë, që mua më pëlqen. Patjetër që mbaj kontakte dhe me shokë të tjerë, ku takohemi dhe bisedojmë për gjëra të ndryshme.

CMG: Kur ke qëndruar në Tiranë a ke hyrë ndonjëherë tek Opera?

Vladimir Mako: Kam frikë të futem, sepse jam i sigurt që do të prekem dhe do të qaj. E shoh nga jashtë dhe bëj fotografi. Druhem ta vizitoj nga brenda, sidomos me rikostruksionin që është bërë, sepse më duket sikur i ka humbur magjia që ndieja kur hyja dikur.

CMG: Mendon se vitet e punës tuaj si teknik në Opera kanë qenë më të bukurat e jetës suaj?

Vladimir Mako: Patjetër që po. Unë harrova që do të martohesha dhe shkova aty për të punuar.

CMG: Tani që je në pension a ke menduar të rikthehesh përfundimisht në Shqipëri?

Vladimir Mako: Fëmijët e mi, djali dhe vajza, jetojnë në Greqi. E shoh të vështirë që të kthehem përfundimisht në Shqipëri. Kam mall për Tiranën dhe në rastin më të parë vij aty.

CMG: Së fundi, një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe të afërmit tuaj.

Vladimir Mako: Dua të përshëndes të gjithë shokët e prapavijës që kam punuar në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe shokët që kam pasur gjatë gjithë këtyre viteve në Tiranë.

Intervistoi: Gazmend Agaj