Politika monetare (Foto revista Monitor)
“Viti 2023 ishte një vit konsolidimi i trendeve pozitive të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, si në drejtim të rritjes ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të ekuilibrave kryesorë ekonomikë dhe financiarë të vendit”,- deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të raportit për vitin e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë.
Sejko u ndal te sfidat e kapërcyera dhe te mënyra e menaxhimit të situatave.
“Pavarësisht një mjedisi të huaj të vështirë e sfidues, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vijoi të rritej, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ky tregues u rrit me 3.5% gjatë vitit të shkuar. Paralelisht me të, punësimi u rrit me 2.2%, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 13%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7%. Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe i eksportit të shërbimeve të turizmit, ndërkohë që politika fiskale ruajti një kah konsolidues. Në aspektin makroekonomik, rritja ekonomike pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, përmirësimin gradual të besimit të bizneseve dhe familjeve, zgjerimin e kredisë bankare, inflacionin në rënie, tregun e fortë të punës, si dhe rritjen e shpejtë të të ardhurave nga turizmi”,- tha Sejko.
Rritja e kërkesës për mallra e shërbime nuk dëmtoi trendin rënës të inflacionit.
“Përkundrazi, ky tregues shënoi rënie graduale gjatë vitit 2023, nga niveli 7.4% në fillim të vitit, në nivelin 4% në fund të tij. Kjo ecuri u ndikua nga rënia e inflacionit në tregjet e huaja, nga forcimi i kursit të këmbimit, si dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës sonë monetare. Rënia e inflacionit dhe afrimi progresiv i tij drejt objektivit ndihmoi ruajtjen e vlerës së të ardhurave dhe të kursimeve të familjeve, mbështeti funksionimin normal të tregjeve financiare, si dhe ndihmoi forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit”,- tha guvernatori.
Guvernatori Sejko në Parlament (Foto Banka e Shqiperise)
Sipas Sejkos, viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e tjerë të brendshëm e të jashtëm të ekonomisë shqiptare.
“Ndër ta, gjej me vend të veçoj: së pari, përmirësimin e pozicionit të huaj të vendit, të pasqyruar në një rënie të shpejtë të deficitit të llogarisë korrente. Ky deficit zbriti në nivelin 0.9% të PBB-së gjatë vitit 2023, duke shënuar një minimum historik të periudhës post-tranzicion. Po ashtu, borxhi i huaj zbriti poshtë nivelit 50% të PBB-së, ndërsa niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë regjistroi rritje, duke përmirësuar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur goditjeve të brendshme dhe të huaja. Këto përmirësime u diktuan nga rritja me 1.7 miliardë euro e eksporteve shqiptare gjatë vitit të shkuar, si dhe nga rritja e mëtejshme e investimeve të huaja direkte, të cilat arritën një rekord të ri historik prej 1.1 miliardë eurosh”,- tha kreu i Bankës Qendrore.
Gjithashtu renditet përmirësimi i pozicionit fiskal të vendit, të pasqyruar në reduktimin në nivelet minimale të më shumë se një dekade të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, respektivisht në 1.4% dhe 58.9% të PBB-së.
“Reduktimi i borxhit publik rrit hapësirat fiskale për reagim ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, si dhe ul primet e rrezikut dhe kostot e financimit të të gjithë operatorëve të ekonomisë;dhe së treti, qëndrueshmërinë e sektorit bankar, të pasqyruar në përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, si dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%. Këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë, me eficiencë dhe në vazhdimësi, ekonominë me fonde financiare dhe instrumente pagese e kursimesh. Në një perspektivë më të gjatë kohore, ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence e fleksibiliteti përballë sfidave madhore të viteve të fundit. Ndër të tjera, ky fakt gjeti pasqyrim në përmirësimin e renditjes së rrezikut të borxhit publik të vendit nga agjencitë e huaja të vlerësimit, tashmë në BB, sipas agjencisë “Standard & Poors”, si dhe në rritjen e interesit për të investuar në Shqipëri, si në ekonominë reale dhe në tregun financiar”,- tha ai.
Për guvernatorin Sejko, momenti pozitiv i zhvillimit të vendit i dedikohet para së gjithash rezistencës, fleksibilitetit dhe dinamizmit të sektorit privat.
“Megjithatë, ky moment pozitiv zhvillimi pasqyron edhe politikën tonë të kujdesshme monetare, masat tona mbikëqyrëse, rregullatore e makroprudenciale, si dhe punën e vazhdueshme për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit të pagesave. Më konkretisht, normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare mundësoi fillimisht kontrollin dhe më tej reduktimin e vazhdueshëm të inflacionit, me kosto minimale mbi aktivitetin ekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu, masat tona rigoroze mikro dhe makro-prudenciale forcuan qëndrueshmërinë e sistemit bankar, ndërsa përafrimi i vazhdueshëm i rregulloreve tona me standardet e Bashkimit Europian ka sjellë një konvergjencë të konsiderueshme rregullatore, duke reduktuar primet e rrezikut financiar në vend. Së fundi, zhvillimi i vazhdueshëm i infrastrukturës dhe bazës rregullatore të sistemeve të pagesave, ka rritur pjesëmarrjen financiare dhe ka ndihmuar rritjen e eficiencës dhe të formalizimit të sektorit privat”- u shpreh Sejko.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të jetë e orientuar nga përmbushja e objektivit ligjor, arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.
“Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se nivelet ende të larta dhe mbi objektiv të inflacionit diktuan vijimin e një politike monetare normalizuese gjatë vitit 2023. Megjithatë, ne jemi përpjekur të ndjekim një politikë monetare sa më fleksibël, duke synuar të mos dëmtojmë trendet pozitive të zhvillimit të vendit, si dhe duke u kujdesur ta harmonizojmë atë me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale”,- deklaroi kreu i Bankës së Shqipërisë.
Lidhur me këtë, guvernatori Sejko u ndal në dy hapa të rëndësishëm.
“Së pari, ritmi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare u ngadalësua gjatë vitit 2023. Gjatë këtij viti, ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikë përqindje. Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Më konkretisht, mbiçmimi i shpejtë i Lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Në veçanti, forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të spikatura ekonomike të kësaj periudhe. Duke pasur një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi, ai kontribuoi në kontrollin e inflacionit, duke rritur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, si dhe mundësoi një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës sonë monetare, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit, ndër vendet e rajonit”,- tha ai.
Banka e Shqiperise ( Foto Gazeta Shqip)
Sipas guvernatorit Sejko, rritja e normës bazë solli një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit në vend, por kushtet e përgjithshme të financimit mbetën stimuluese.
“Në përgjigje të tyre, si dhe të përqasjes pozitive të bankave, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje të shpejtë e të qëndrueshme gjatë vitit 2023, duke arritur së fundmi nivelin 14%. Rritja e kreditimit kishte disa tipare pozitive: kredia e re kishte një bazë të gjerë sektoriale; ajo ishte e përqendruar në monedhën tonë kombëtar, pati një orientim në rritje drejt financimit të investimeve, si dhe nuk dëmtoi cilësinë e përgjithshme të portofolit. Të tria këto tipare kanë vijuar dhe janë forcuar më tej gjatë vitit 2024. Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë pranë objektivit tonë prej 3%, ndërkohë që parashikimet për të ardhmen janë pozitive”,- tha ai.
Rritja e normave të interesit dhe e pasigurive gjatë dy viteve të fundit, në vend dhe në botë, kanë krijuar një ambient sfidues për aktivitetin bankar dhe për stabilitetin financiar.
“Megjithatë, si sektori bankar dhe stabiliteti financiar i vendit paraqiten solidë. Në veçanti, sektori bankar shqiptar e mbylli vitin 2023 me një rezultat financiar pozitiv, me një nivel të lartë likuiditeti dhe kapitalizimi, si dhe me një përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së kredisë. Analizat tona tregojnë se rreziqet sistemike të tij mbeten të kontrolluara. Në veçanti, sektori financiar shqiptar shënoi dy arritje të rëndësishme gjatë vitit të shkuar:së pari, dalja e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar të FATF-së (Financial Action Task Force), sa i takon zhvillimit të infrastrukturës për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën ndaj terrorizmit - e njohur ndryshe si “lista gri” - përbën pikën kulmore të reformave të ndërmarra për përmbushjen e kritereve të nevojshme nga institucionet vendase, përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë. Dalja nga “lista gri” e FATF-së është një arritje e rëndësishme për vendin, ekonominë dhe reputacionin e Shqipërisë, pasi ajo përbën një votëbesim nga komuniteti ndërkombëtar për përkushtimin e vendit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”,- deklaroi Sejko.
Në raport përmendet hapi i madh i daljes së vendit nga lista gri.
“Me daljen nga lista gri, Banka e Shqipërisë ka nisur procedurat për marrjen e statusit të ekuivalencës së kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me standardet e Bashkimit Europian. Vlerësimet tona paraprake sugjerojnë një nivel konvergjence përafërsisht prej 90% me këto standarde. Për këtë arsye, ne kemi paraqitur kërkesën zyrtare pranë Autoritetit Bankar Europian (EBA) dhe jemi në pritje të fillimit të diskutimeve mbi procesin e vlerësimit të ekuivalencës të Shqipërisë, i cili do të mundësojë rritjen e nivelit të kreditimit në ekonomi nga bankat tregtare evropiane që operojnë në vend. Rezistenca, qëndrueshmëria dhe fleksibiliteti i sistemit financiar përkundrejt sfidave të fundit, pasqyron si mbikëqyrjen e kujdesshme dhe eficiente, ashtu dhe reformat strukturore të marra nga Banka e Shqipërisë. Në veçanti, investimi i vazhduar që kemi bërë ndër vite ka forcuar rezistencën e sektorit bankar ndaj goditjeve dhe i ka mundësuar atij të vijojë të plotësojë kërkesat për fonde të ekonomisë”,- tha kreu i Bankës së Shqipërisë.