Mediet gjermane jehonë turizmit shqiptar: Vizitoni vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore
2024-07-29 11:18:42

Vizita në Shqipëri kërkon një ndjenjë aventure dhe pikërisht kjo është arsyeja pse një udhëtim me makinë drejt Shqipërisë është e vetmja mënyrë për të depërtuar në vendin ballkanik, shkruan e përditshmja gjermane “Blick”.

Sipas saj, duhet pak më shumë se një javë për të eksploruar pikat turistike në jug të vendit: Liqenin mistik të Ohrit, Parkun Kombëtar të pyllëzuar të Llogorasë, zonën arkeologjike të Butrintit dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Gjirokastrës dhe Beratit. Por në destinacionet e përshkruara nuk mungon as kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, madje përshkrimi nis nga këtu.

Tursite ne Butrint - foto ATSH

Tursite ne Butrint - foto ATSH

Atraksionet kryesore të Tiranës

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është plot ngjyra, shkruan gazeta, duke ftuar lexuesit gjermanë që të kalojnë disa ditë në këtë qytet.

Kushdo që viziton kryeqytetin shqiptar duhet të shijojë edhe kulturën e kafenesë dhe pub-eve, që ka një traditë të gjatë në Shqipëri.

Tirana karakterizohet nga jeta e gjallë e natës në zonën e Bllokut, ku dikur jetonin drejtuesit e vendit, të para viteve ’90.

Gjithashtu, në qytet po krijohen gjithnjë e më shumë restorante kreative.

Shumë sundimtarë gjatë shekujve

Gazeta gjermane më tej në artikull vijon me një përshkrim të shkurtër të historisë së ndërthurur me kulturën.

Falë vendndodhjes së saj në qendër të Ballkanit, rajoni pati shumë sundues gjatë shekujve: grekët e lashtë, romakët, bizantinët dhe, për rreth 500 vjet, osmanët turq.

Të gjithë ndihmuan në formësimin e vendit dhe këta të fundit lanë gjurmë jo vetëm në arkitekturë dhe kuzhinë, por edhe në besim.

Turiste ne Berat - foto ATSH

Turiste ne Berat - foto ATSH

Veçanërisht Berati, me shtëpitë e tij osmane dhe rrugët e ngushta të shtruara me guralecë të lumit Osum, është një perlë.

Infrastruktura turistike

Artikulli ndalon te qyteti muze i Beratit. Qyteti, ashtu si i gjithë vendi, është në një udhëkryq. Shumë njerëz po lëvizin nga shtëpitë shekullore në qytetin e ri, i cili ka formuar një unazë rreth bërthamës së vjetër.

Biznesmenët po investojnë në ndërtesat historike dhe po i shndërrojnë ato në hotele, restorante dhe dyqane.

Pas pak vitesh, qytetet e vjetra do të bëhen parqe historike, siç ka ndodhur tashmë në shumicën e vendeve turistike rreth Mesdheut.

Pamje ilustruese te Rivieres shqiptare - foto ATSH

Pamje ilustruese te Rivieres shqiptare - foto ATSH

Butrinti

Tjetër destinacion që ka tërhequr vëmendjen e gazetës është Butrinti. Ky park arkeologjik ndodhet në jug të vendit dhe u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.

Gazeta fton lexuesit e saj që ta vizitojnë atë në mënyrë që të mund të shohin tempuj, rrugë, teatro dhe kisha, që nga periudha e grekëve të lashtë, romakëve, të krishterëve të hershëm dhe osmanëve.

“Mos e humbisni një vizitë në muzeun arkeologjik, ku mund të eksploroni gjetjet më të mira në gadishull”,- nënvizon gazeta.

Foto ilustruese te turisteve ne Gjirokaster - foto ATSH

Foto ilustruese te turisteve ne Gjirokaster - foto ATSH

Gjirokastra

Gjirokastra ndryshe quhet edhe “Qyteti i gurtë”.

Shtëpitë në qytetin malor janë ndërtuar nga guri gri vendas, me të cilin janë mbuluar edhe çatitë.

Në qytetin e vjetër ndodhen rreth 600 ndërtesa të periudhës osmane (shek. XV- XIX), kjo është dhe arsyeja pse Gjirokastra u bë gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Alpet shqiptare

Një tjetër ndalesë janë malet në veri të vendit që njihen edhe si Alpet shqiptare.

“Majat e tyre arrijnë më pak se 3000 metra, malet me luginat e tyre të gjelbërta dhe pyjet e dendura janë një perlë e vërtetë.

Rrëqebullët, ujqërit dhe arinjtë kalojnë fshehurazi nëpër shkurre dhe shqiponjat qarkullojnë rreth majave”,- thuhet në artikull.

Bukuri origjinale

Nuk ngelet jashtë itenerarit të përshkruar as riviera shqiptare, duke nisur me Himarën. Sipas gazetës gjermane, Himara ka një bukuri origjinale që nuk mund të gjendet as në shumë destinacione pushimesh.

Foto ilustruese te plazheve shqiptare - Foto ATSH

Foto ilustruese te plazheve shqiptare - Foto ATSH

Nga qyteti i Himarës, afërsisht në mes të detit Jon, një shteg i zhvilluar ecjeje përshkon rrugën në veri drejt gjireve të ndryshëm shkëmbor.

Shqipëria krenohet me plazhet fantastike, ushqimin e thjeshtë por shumë të shijshëm dhe natyrën ende të pacënuar.

Plazhet në jug në detin Jon, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare, janë më të bukura se ato në veri.

Një nga plazhet më të bukura është Plazhi i Gjipesë, i cili mund të arrihet vetëm në këmbë ose me automjet fuoristradë. Ia vlen të ecësh gjysmë ore për në plazh.

“Folie Marine - Hotel & Beach Club” ndodhet në plazhin e Jalës.

Ky është bari ideal për turistët që duan të kërcejnë rreth pishinës deri herët në mëngjes në korrik/gusht.

Gjithashtu, një ndalesë tjetër është edhe Syri i Kaltër në Sarandë. Ky burim ujor është më i pasuri në vend, me ngjyra nga më  mbresëlënëset.

Përgatiti: N. Kraja