Shkëmbimet ekonomike dhe tregtare Shqipëri-Kinë në 75 vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe
2024-07-29 11:40:13

Kina është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë dhe ekspertët vlerësojnë se ka shumë potenciale bashkëpunimi mes dy vendeve. Ecuria e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve ka përshkuar një rrugë të gjatë, me ndërprerje, diktuar nga politika, por dhe duke ndikuar në rritjen e shkëmbimeve njerëzore. Kina me zhvillimin e saj të madh ekonomik dhe Shqipëria me objektivat e zhvillimit të një ekonomie të gjelbër dhe shtimit të kapaciteteve turistike gjejnë shumë pikëtakime bashkëpunimi. Ka ende potenciale të pashfrytëzuara shkëmbimesh në ekonomi dhe tregti mes dy vendeve. Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton ecurinë e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve në këtë 75 vjetor të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe

Analisti Bardhi SejKIna partneri i dytë tregtar i Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)darasi në intervistë për CMG

Analisti Bardhi SejKIna partneri i dytë tregtar i Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)darasi në intervistë për CMG

CMG: Shqipëria dhe Kina shënojnë këtë vit 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Shkëmbimet mes dy vendeve, pavarësisht kontrastit në sipërfaqe dhe popullsi kanë patur një trajektore interesante në fushën ekonomike dhe tregtare. Në vlerësimin tuaj si paraqitet kjo trajektore, nisur nga shkëmbimet e shekullit të kaluar deri tani?

Bardhi Sejdarasi: Ka shumë për të thënë kur bëhet fjalë për 75 vjet miqësi dhe veçanërisht për shkëmbimet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve. Do ta filloja me vitin 1978, viti kur qeveria shqiptare e kohës prishi marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës. Është reaguar më pas ndaj kësaj ndërprerjeje, madje lideri i fundit komunist shqiptar Ramiz Alia e ka përcaktuar në një libër të tijin, si një element të dëmshëm për ekonominë shqiptare prishjen e njëanëshme të marrëdhënieve me Kinën. Konjuktura ishte e tillë, marrëdhëniet dhe marrëveshjet globale ishin të tilla që e orientuan Shqipërinë e vogël përballë Kinës së asaj kohe, që ne e quanim “Kina 700 milionëshe”. Kjo gjë krijoi vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike për Shqipërinë

Kujtoj veçanërisht vitet 70-të të shekullit të kaluar kur një numër shumë i madh ekspertësh kinezë erdhën për të punuar dhe jetuar në Elbasan. Kombinati Metalurgjik i Elbasanit në atë kohë ka qenë një nga fabrikat më moderne. Me ndihmën ekonomike të Kinës në atë periudhë u ndërtuan hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Drin me të cilët ne sot furnizohemi, u ndërtuan uzinat kimike në Fier dhe Laç, si dhe impiante për prodhimin e armëve, të cilat ne tani kërkojmë që t’i rivemë në punë. Kjo ka qenë një periudhë kur zhvillimi ekonomik i Shqipërisë mori një hov të paparë për shkak të ndihmës shumë të madhe që ka dhënë populli dhe qeveria kineze.

Qasja midis dy qeverive mbështetej dhe në aspektin miqësor të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë. Ishte ky konteksti i kohës dhe kështu funksiononte.

CMG: Kjo tregon se sa interesante është kjo marrëdhënie dhe për studiuesit ka shumë për të vëzhguar në këtë drejtim

Bardhi Sejdarasi: Prandaj kur themi jubileu i 75-të duhet të kesh mundësinë të analizosh këtë marrëdhënie, për të parë realisht se çfarë ka ndodhur. Mendoj se ishte një gabim fatal ndërprerja e marrëdhënieve por pas viteve 90-të u tentua që të kishte një marrëdhënie të ndryshme politike midis dy vendeve, si dhe të kishte një bashkëpunim më të hapur në ekonomi. Kjo sepse zhvillimi i Kinës ishte shumë i shpejtë dhe gjatë gjithë kohës qeveria ka patur prirjen për të rritur mirëqenien e shtetasve të vet, si dhe për të rritur ekonominë dhe për të forcuar financat e veta dhe për t’u bërë ajo që është sot, vendi i dytë në botë. Kjo politikë nëse nuk do të ishte ndërprerë në vitet 70-80, sot do të kishim një pamje tjetër.

CMG: Është interesant kalimi pas viteve ‘90 i të dy ekonomive në tregun e lirë, në gjykimin tuaj si ekspert i ekonomisë?

Bardhi Sejdarasi: Patjetër. Në analizën e treguesve ekonomikë të të dy vendeve  duhen parë politikat ekonomike dhe financiare që ndiqen. Kina duke qenë një shtet i madh dhe duke tentuar që të konkurronte në një treg global, ku konkurrenca është e ashpër, u detyrua të orientojë politika të cilat e mbanin në ekonominë e tregut, pavarësisht se sistemi politik drejtohej nga një qeverisje e vetme.

Politikat në rangun ekonomik dhe financiar e bënë Kinën një shtet konkurrent në botë, një shtet përballë vendeve të tjera me një ekonomi tregu të zhvilluar. Madje Kina ka tejkaluar një pjesë të madhe të këtyre vendeve që kishin dhe traditë në ekonominë e tregut. Sot që Kina është ekonomia e dytë në botë, tregon se ka qenë pikërisht kjo konkurrencë e madhe brenda të njejtit sistem, me zhvillimin e ndërmarrjeve të fuqishme pavarësisht se ishin në pronësi të shtetit, rritja e kapitalit human dhe mirarsimimi i tyre.

Mendoj se teoritë e spikatura ideologjike të kohës ndikuan drejtpërdrejt në forcimin ekonomik të Kinës. Kjo histori me këtë marrëdhënie që i kemi ndjekur nga afër për shkak të ndryshimeve pas viteve 90-të bënë që ne të orientonim dhe më pas vështrimin drejt Kinës. Mund të përmend krijimin e Institutit Konfuci në vitin 2013 në kuadër të Mekanizmit 17+1, por dhe vizioni i Rrugës së Mëndafshit ndikuan pozitivisht për shkrirjen e akujve në nivel dypalësh dhe pati miratim të disa marrëveshjeve, projekte që nuk u zbatuan por ishin në një fazë që e përcaktonin Kinën si partner ekonomik dhe tregtar midis vendeve tona.

KIna partneri i dytë tregtar i Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)

KIna partneri i dytë tregtar i Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)

CMG: Menjëherë sapo në Shqipëri ndryshoi sistemi politik pas viteve ‘90 dhe nisi të zbatohej tregtia e lirë, sipërmarësit e parë shqiptarë kishin një orientim për të shkuar në Kinë. Pavarësisht se kemi fqinjë vende si Italia dhe Greqia, por në sajë të miqësisë me Kinën para viteve ’90, apo kontaktet që kishin, sipërmarësit shqiptarë u nisën drejt tregut kinez.  Opinioni juaj për këtë.

Bardhi Sejdarasi: Politika e qeverisë kineze ishte një qasje e re dhe e hapur ndaj të gjitha vendeve ndaj dhe bizneset shqiptare, sidomos ato që kishin marrëdhënie tradicionale, e shqiptarëve që kishin studiuar në Kinë, por dhe e kinezëve që kishin qenë në Shqipëri vendosën lidhjet mes tyre. Kështu u krye ky bashkëpunim që ishte i nevojshëm.Tregu kinez është i madh dhe ka hapësira pafund për të gjitha vendet pa përjashtim që të shfrytëzojnë incentivat që i ofron, si cilësia e produkteve, apo çmimin e tyre. Duke qenë se Shqipëria kishte nevojë për një treg të diversifikuar dhe tregu kinez me atë perëndimor u miksua, duke e bërë më të lehtë komunikimin ndërmjet sipërmarësve.

Biznesi ecën më shpejt, disa hapa përpara qeverive dhe kjo ishte arsyeja që shumë shqiptarë që kishin iniciativë dhe këmbëngulje i shfrytëzuan këto mundësi dhe facilitete që sillnin vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare.Ndërsa aktualisht Kina nga vendi i pestë në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë ze vendin e dytë në këto marrëdhënie. Volumi tregtar i vitit 2023 ka qenë 1 miliard dollarë dhe kjo nuk është pak. Ekonomia shqiptare duhet të plotësojë disa standarde sepse tashmë në Kinë dhe vende të tjera nuk mund të bësh më shkëmbime pa standarde.

Ndërkohë nënshkrimi i disa memorandumeve me Kinën, heqja e vizave, pjesëmarrja në nismën “Një brez, një rrugë” pra këta elementë dhe elementë të tjerë tregtarë kanë në themel miqësinë tradicionale që nuk duhet harruar sepse të dy popujt pavarësisht jetës së sotme moderne nuk e kanë tjetërsuar këtë miqësi.

Brezi im e ka jetuar atëkohë dhe duke qenë me profesion inxhinier në disa nga fabrikat e asaj kohe para viteve 90-të kanë patur ekspertë kinezë që kanë punuar bashkërisht me ne. Madje gjatë praktikave tona profesionale ne shikonim përvojën e tyre. Siç e thashë ka qenë fatkeqësi ndërprerja e njëanëshme e marrëdhënieve me Kinën, por gjithësesi rivendosja e tyre bën që të ketë një rivështrim të ri të marrëdhënieve me këtë vend. Sot nuk është Kina e viteve 70-të dhe orientimi ekonomik dhe social si dhe i politikave të zhvillimit dhe të bashkëpunimit duhet të jetë i ndryshëm dhe ka hapësira. Qeveritë e dekadave të fundit duhet ta rishohin këtë aspekt.

CMG: Në aktualitetin tonë duket se prirja e zhvillimit ekomomik të Shqipërisë anon nga turizmi dhe energjia e rinovueshme. Në konktekstin e Kinës, ky vend është lider sa i përket energjisë së rinovueshme, ku duhet të përmendim fotovoltaiket, makinat elektrike, panelet diellore etj. Ndërkohë turistët kinezë zenë kreun e listës së turistëve botërorë dhe në Shqipëri ka një prani të turistëve kinezë në çdo stinë të vitit. Gjykoni se kjo prirje e zhvillimit të Shqipërisë përkon me zhvillimin e Kinës në këto fusha, si bazë për orientimin e shkëmbimeve të ardhshme ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve?

Bardhi Sejdarasi: Të ndërveprosh me Kinën është një sfidë shumë e madhe, pasi ky vend është anëtar i Këshillit të Sigurimit, është një superfuqi bërthamore, është një shtet që përfaqëson 1/7 e popullsisë së botës  dhe mban një politikë të hapur të tregut që nga vitet 70-të të shekullit të kaluar dhe kjo është një vlerë e shtuar. Politika dhe qasja globale me dy nga projektet që i kemi diskutuar siç është “Një brez, një rrugë” dhe teknologjinë e avancuar të rrjetit 5G, që e ka filluart që nga viti 2015 si dhe pozicioni i rëndësishëm gjeopolitik dhe global i një aktor në treg bëjnë që të kthehet vemendja te politikat ekonomike dhe tregtare  të saj. Nëse themi sot se Kina është lider në prodhimin e baterive, si elementi kryesor i makinave elektrike ne duhet patjetër të krijojmë bashkëpunim, madje duke kërkuar siç ka vepruar Hungaria dhe Bullgaria, që një pjesë e mirë e teknologjisë kineze në fushën fotovoltaike dhe të prodhimit të makinave elektrike të kenë mundësi të vijnë edhe në Shqipëri. Kjo ndoshta nuk mund të ndodhë thjesht me tregun shqiptar të veçuar, por me një treg rajonal.

CMG: Edhe në fushën e turizmit oferta jonë për turistët kinezë mund të jetë rajonale

Bardhi Sejdarasi: Tani jam duke bërë një dokumentar për turizmin dhe problemi ynë është se ne vërtet kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe kemi hequr në mënyrë reciproke vizat me Kinën, por na mungon elementi i tregut rajonal. Ne mund të sjellim një linjë direkte ajrore nga Pekini apo Shangai, por do të na mbeten turistët vetëm në Shqipëri, sepse turistët kinezë mund të eksplorojnë rajonin tonë me këtë rast. Prandaj duhet të tentojmë që të kemi një paketë globale në Ballkanin Perëndimor me qëllim që heqja e vizave me Shqipërinë të mos i kufizojë turistët kinezë vetëm në vendin tonë, por me turoperatorët ata të shëtisin nëpër Shqipëri, por të vizitojnë dhe vendet e tjera të rajonit.

Jam në dijeni se po bëhen përpjekje nga qeveritë respektive për hartimin e një pakete rajonale apo të lidhur me Europën Juglindore. Turistët kinezë kanë veçoritë e tyre sepse interesohen për kulturën, historinë dhe janë ndër konsumatorët më të mëdhenj që njihen sot. Tani kemi një debat se po na vijnë turistë me çanta shpine, por turistët kinezë nuk janë të tillë, sepse kanë rritje të të ardhurave.

Ndaj duhet të kemi një politikë më të drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare që të rikrijohen dhe riforcohen lidhjet ekonomike midis dy vendeve për të cilat përfitimi është reciprok.

CMG: Në 75-vjetorin e  vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë, a gjykoni se qeveria shqiptare duhet të aplikojë një qasje më kreative në marrëdhëniet ekonomike me Kinën?

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë (Foto Lajme.org)

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë (Foto Lajme.org)

Bardhi Sejdarasi: Ka një përpjekje në këtë drejtim dhe kujtoj marrëveshjen e nënshkruar nga ministrja jonë e Turizmit dhe Mjedisit Kumbaro dhe homologu i saj. Gjithashtu teknologjia e avancuar e Kinës mund të vijë në Shqipëri në mënyrë graduale. Nuk ka nevojë sot që të blihen makinat elektrike në dorën e dytë, të tretë apo të katërt, por mund të blihen direkt.

Mund të tentohet të vendosen linjat e komunikimit direkt, sepse nëse ne kemi sot dhjetra shoqëri fluturimi që vijnë në Rinas, apo që do të vijnë së shpejti në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duhet të mendojmë që sot për të vendosur linja direkte të fluturimit. Po ashtu të vendosim tregun rajonal ballkanik që të kemi mundësi shkëmbimesh, por ne duhet të punojmë për të plotësuar standardet dhe për të rritur eksportet nga Kina. Të ardhurat nga tregu kinez janë të jashtëzakonshme dhe ka individë që bashkëpunojnë me këtë treg dhe janë shumë të kënaqur nga korrektësia e investitorëve dhe nevoja që ka ky treg për një pjesë të produkteve tona.

Qeveritë duhet të krijojnë mundësi të tilla që qoftë biznesi shqiptar drejt Kinës, apo ai kinez drejt Shqipërisë të kenë mundësi t’i afrojnë  edhe për shkak të miqësisë tradicionale dhe dëshirës së mire që kanë bizneset e të dy vendeve për të ecur përpara.

Intervistoi: Eda Merepeza