Protesta ne Turqi (Foto Atsh)
Mijëra persona protestuan në Stamboll kundër projektligjit për qentë endacakë.
Rreth katër milionë qen endacakë bredhin nëpër rrugët e Turqisë. Edhe pse shumë prej tyre janë të padëmshëm, shumë njerëz, duke përfshirë fëmijë, janë sulmuar në Stamboll dhe qytete të tjera.
Projektligji, i cili pritet të votohet në ditët në vijim, synon t’i bëjë rrugët më të sigurta. Bashkitë do t’i mbledhin qentë endacakë dhe t’i strehojnë në strehimore ku do të sterilizohen. Ata që vuajnë nga sëmundje dhe paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve ose janë agresivë, do të eutanazohen, shkruan “ATSH”.
Aktivistët e të drejtave të kafshëve janë të shqetësuar se disa komuna mund të vrasin qentë me pretekstin se janë të sëmurë, në vend që të ndajnë burime për t’i strehuar ata, ose t’i dërgojnë në strehimore të neglizhuara dhe të mbipopulluara.
Qeveria ka hedhur poshtë pretendimet se projektligji mund të çojë në një vrasje masive të qenve.
Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se kushdo që vret endacakë pa arsye do të ndëshkohet. (Irma)