Balluku: Aeroporti i Vlorës pritet të jetë gati në fund të vitit
2024-07-29 11:18:09

Aeroporti i Vlores (Foto Oranews)

Aeroporti i Vlores (Foto Oranews)

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se brenda këtij viti përfundon aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, shkruan “ATSH”.

Balluku tha se ky aeroport do të presë udhëtarët e parë në vitin 2025.

Sipas saj, po punohet gjithashtu për projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, ndërsa pas pak ditësh do të çelet gara për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Ajo shtoi se portet turistike të Durrësit e Vlorës janë në ndërtim e sipër dhe do të pasohen me portin e Sarandës dhe Shëngjinit.

Gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e Partisë Socialiste, Balluku u zotua se në vitin 2030 Shqipëria do të jetë eksportuese neto e energjisë.

Ajo theksoi se së shpejti pritet të hapet gara për segmentin e autostradës Milot-Balldren dhe do të kryhet projektimi për segmentin Milot-Poliçan.(Fatosi)