Ministrja Denaj: Agroturizmi shqiptar ndihmon familjet dhe prezanton vendin ndërkombëtarisht
2024-07-29 16:54:42

Zone rurale ne Shqiperi (Foto Atsh)

Zone rurale ne Shqiperi (Foto Atsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se 6 vite më parë në Shqipëri numëroheshin vetëm 10 agroturizma, ndërsa sot ka më shumë se 260 të tillë.

Sipas ministres, synohen rreth 1000 agroturizma deri në vitin 2030, me një cilësie fantastike, ndërkombëtarisht të njohur, që do të krijojnë mundësi punësi dhe do të ngrenë zonat rurale, shkruan “ATSH”.

Ajo theksoi se agroturizmi është kombinimi perfekt i bujqësisë me turizmin, i familjes me sipërmarrjen, i fermerit me tregtarin, i mikpritjes emocionuese me produktet cilësore ushqimore shqiptare, të cilat sot kanë marrë një jehonë në mediat ndërkombëtare.

“Agroturizmi është në fokus të zhvillimit ekonomik në mandatin tonë të katërt qeverisës, kjo falë një objektivi të qartë për të fuqizuar familjet në zonat rurale e për të zhvilluar më tej këto njësi për të rritur mirëqënien e tyre”,- deklaroi ministrja Denaj në Kongresin e Partisë Socialiste.

“Një agroturizëm sot angazhon më shumë se 25 familje dhe janë 11 hektarë tokë e punuar, duke ruajtur kështu farat autoktone, e duke ndjekur një protokoll cilësor brenda standardeve të BE-së. Por, gjithashtu ai është kthyer në një model të suksesshëm të punësimit të shumë të rinjve dhe grave, të cilat i kanë dhënë një vlerë më të shtuar mikpritjes shqiptare”,- tha ministrja Denaj. (Irma)