Foto nga VCG
Ky vit shënon 20-vjetorin e krijimit të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Itali.
Që nga vendosja e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1970, Kina dhe Italia kanë thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si politika, ekonomia dhe tregtia, shkëmbimet njerëzore dhe shkenca e teknologjia, duke hedhur një bazë solide për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Vitet e fundit, të dy vendet kanë mbajtur shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë dhe besimi i ndërsjellë politik është forcuar vazhdimisht.
Me ftesë të kryeministrit kinez Li Qiang, kryeministrja italiane Giorgia Meloni po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë nga 27 deri më 31 korrik. Gjatë kësaj vizite, presidenti kinez Xi Jinping do të takohet me Melonin. Kryeministri Li dhe kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore Zhao Leji do të takohen dhe do të zhvillojnë bisedime me kryeministren italiane për të shkëmbyer mendime lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet me interes të përbashkët.
Foto nga VCG
Moment pozitiv bashkëpunimi
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ka qenë gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve Kinë-Itali. Italia është partnerja e katërt më e madhe tregtare e Kinës në BE dhe Kina është partnerja më e madhe tregtare e Italisë në Azi.
Në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve midis Kinës dhe Italisë u rrit katër për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke treguar një qëndrueshmëri të fortë.
Ndërkohë, bashkëpunimi dypalësh në fusha të tilla si prodhimi i nivelit të lartë, energjia e pastër, hapësira ajrore, inteligjenca digjitale dhe mjekësia e shëndetësia ka qenë i frytshëm, duke treguar perspektiva të gjera.
Italia ka qenë vendi i ftuar i nderit në shumë veprimtari, si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës, Ekspozita Ndërkombëtare e Produkteve të Konsumit e Kinës dhe Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës, për të eksploruar më tej tregun kinez dhe për të ndarë përfitimet e zhvillimit. "Kina është një treg kyç për Italinë," tha Antonio Majocchi, profesor i biznesit në Universitetin LUISS të Romës, duke shtuar se nëpërmjet hapjes e investimeve reciproke të dy vendet mund të arrijnë bashkëpunim me përfitime të përbashkëta.
Foto nga VCG
Ndërtimi i urës së mirëkuptimit të ndërsjellë
Shkëmbimet njerëzore dhe kulturore ndërmjet Kinës e Italisë kanë ndërtuar një urë mirëkuptimi të ndërsjellë ndërmjet të dy popujve. Tani numri i studentëve kinezë në Itali dhe numri i studentëve italianë në Kinë vazhdon të rritet, ndërsa edhe interesi për të mësuar gjuhën kineze në Itali ka ardhur gjithnjë dhe duke u shtuar.
Pas organizimit të suksesshëm të Vitit të Kulturës dhe Turizmit Kinë-Itali më 2022, të dy vendet kanë bashkëpunuar në organizimin e një sërë veprimtarish kulturore këtë vit për të përkujtuar 700-vjetorin e vdekjes së Marko Polos, eksploruesit të shekullit të 13-të që udhëtoi përgjatë Rrugës së lashtë të Mëndafshit drejt Kinës, duke pohuar rëndësinë e shkëmbimeve dhe të mësimit të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve.
Të dy palët kanë bashkëpunuar për të krijuar 12 institute "Konfuci" dhe 39 klasa "Konfuci" në Itali. Deri më sot, Kina dhe Italia kanë krijuar 86 binjakëzime provincash, qytetesh dhe rajonesh.
Përveç kësaj, Kina ka zbatuar dhe zgjeruar politikën e heqjes së vizave për shumë vende evropiane, përfshirë Italinë, gjë që ka sjellë lehtësi praktike për qytetarët italianë që shkojnë në Kinë për biznes, turizëm, vizita familjare dhe aktivitete të tjera shkëmbimesh.