Legjendarët Elita 5 një jetë me muzikë
2024-07-28 18:16:58

Grupi i rrokut Elita 5 është ndër grupet më të njohura shqiptare, që ende mbajnë gjallë këtë rrymë muzikore. Kënga e tyre e re "Natën e mirë" është realizuar me profesionalizëm të lartë, në bashkëpunim me një orkestër profesioniste prej 50 instrumentistësh. Djemtë e  Elita 5 kanë dhënë secili prej tyre një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë grup muzikor, ndër të vetmit që i kanë rezistuar kohës në më shumë se tre dekada e gjysmë. Janë Agron Idrizi (kitarë bass), Mevaip Mustafi (kitarë), Besim Ibraimi (bateri), Valon Gashi (kitarë), Arif Ziberi (vokal), si dh Nexhat Mujovi – Vvirusi producent dhe kompozitor i këngëve të Elita 5. Në një intervistë për Radio Ejani, solisti i këtij grupi, Arif Ziberi, tregon për përpjekjet e jashtëzakonshme për të krijuar këngën "Natën e mirë", duke ndarë me publikun pasionin dhe angazhimin e tyre.

Arif Ziberi (Solisti i Elita 5) i ftuar në Radio Ejani

Arif Ziberi (Solisti i Elita 5) i ftuar në Radio Ejani

CMG: Arif, grupi Elita 5 gjatë këtyre viteve ka fituar simpatinë e publikut të gjerë, por mbi të gjitha simpatinë e tre brezave.

Arif Ziberi: Unë e vërej edhe në koncerte të ndryshme, që suksesi i grupit Elita 5 është kjo që thoni ju, që kemi përfshirë tre gjenerata. Jemi të pëlqyer edhe nga fëmijët, nga të rriturit, po edhe mosha më e vjetër, këtu mendoj  se qëndron edhe suksesi i grupit tonë. Ne mundohemi që të bëjmë këngë që të pëlqehen nga të gjithë adhuruesit e grupit, madje mund të them se Elita 5, mund të jetë një model për sjelljen, për jetën që bëjmë, nuk jemi grupi i skandaleve apo aferave. Ne mundohemi që të bëjmë muzikë të bukur, prandaj jo rastësisht jemi në skenë gjithë këto vite. 

CMG: Ju keni një këngë dhe album që e keni titulluar “Mohikani i fundit”, ku këndoni, “Jam Mohikani i fundit, këndoj, me këngë luftoj”. A jeni ju si grup “I fundit i Mohikanëve” të muzikës rrok në Shqipëri?

Arif Ziberi: Nuk besoj se do të jemi të fundit, ka muzikë rrok që bëjnë  të rinjtë në Shqipëri, por që ata të depërtojnë në tregun muzikor, duhet të bëjnë këngë të mira që të pëlqehen nga adhuruesit e tyre në vazhdim. Duhet shumë punë dhe pak durim. 

Grupi Elita 5  (Foto nga facebook)

Grupi Elita 5  (Foto nga facebook)

CMG: Ju së fundit keni sjellë materialin më të ri muzikor  “Natën e mirë”, e shoqëruar me videoklip. Një punë kolosale, e regjistruar me 50 instrumentistë. Cila është fabula e këngës “Natën e mirë”, por edhe detaje të tjera rreth  saj?

Arif Ziberi: Kjo është baladë, për të cilën është menduar shumë dhe kemi punuar gjatë. Në fillim kur Virusi më tha se këngën do e punojmë me Filarmoninë e Shkupit, të them të drejtën nuk e besoja se diçka e tillë mund të realizohej, por me këmbënguljen e tij kënga u realizua. Ishte një mundim dhe punë shumë e madhe, mjaft e kushtueshme edhe nga ana financiare, por grupi Elita 5 asnjëherë nuk kursen kur bëhet fjalë për të krijuar diçka. Mendoj se kemi sjellë një këngë shumë të bukur, ku kritika e muzikës, muzikantët dhe adhuruesit tanë kanë shprehur komentete mjaft pozitive. Mendoj se do të jetë një ndër këngët hit të grupit Elita 5, pasi e kemi vënë re edhe nëpër koncerte që adhuruesit tanë kanë filluar ta këndojnë, do jetë një këngë që do mbetet gjatë dhe pëlqehet në vazhdim. Kënga përcjell një mesazh dashurie, pasi në përgjithësi në këngët tona ne kemi zgjedhur të përcjellim temën e dashurisë.

Arif Ziberi në skenë (Foto nga instagrami)

Arif Ziberi në skenë (Foto nga instagrami)

CMG: Është  e vërtetë që sa më shumë ecin vitet, rritet edhe përgjegjësia për të sjellë në publik materiale më të mira, me më shumë kualitet?

Arif Ziberi: Është e vërtetë, kur je i ri dhe nuk e ke krijuar një emër, nuk e mendon gjatë se çfarë produkti do sjellësh, por sa më shumë kalojnë vitet dhe krijon një emër, apo një brend siç është grupi Elita 5, sigurisht që edhe përgjegjësitë shtohen. Përgjegjësitë për t’u treguar njerëzve, se  jo rastësisht je këtu gjithë këto vite. Përgjegjësitë edhe ndaj adhuruesve tanë janë shtuar, prandaj ne si grup  çdo koncert e marrim me seriozitet shumë të madh.

CMG: Zëri është një instrument që duhet mbajtur mirë, duhet kujdesur, për të qëndruar në formë për kohë të gjatë ndër vite. Ju keni kënduar përherë live,  me instrumenta dhe kjo gjë është vërtetë shumë e bukur dhe për t’u përgëzuar. Ka një fillim, ka një vazhdim, por si e sheh  të ardhmen, sa i përket instrumentit muzikor, vokalit?

Arif Ziberi: Unë nuk kujdesem shumë për vokalin, por kujdesem për veten. Merrem shumë me sport, nuk konsumoj alkool apo cigare, kujdesem gjithmonë për veten sepse duhet të jem në formë kur të dal në skenë. Adhuruesit nuk duhet t’i tregosh se je i lodhur dhe gjithmonë duhet të japësh maksimumin. Besoj se deri tani jam shumë mirë.  

CMG: Dy muaj më parë ju keni dhënë një koncert recital në vendin e lindjes, në Tetovë. Si ishte ky recital, pasi kishte vite që ju kishte munguar një koncert i tillë?

Arif Ziberi: Unë ja kam shprehur këtë dëshirë grupit që të bënim një koncert në pallatin e kulturës në Tetovë, pasi doja t’i ktheja kujtimet e bukura të 33 viteve më pare, ku koncerti i pare i grupit Elita 5, ka qenë po në atë pallat kulture. U realizua më në fund koncerti, kishte një interes të jashtëzakonshëm, madje më erdhi keq që jo të gjithë mundën të ishin pjesë e atij koncerti, por vetëm 700 persona aq sa merrte salla. Ne u ndjemë shumë mire në atë recital. Akustika, teknika gjithçka ishte perfekte, kaluam një mbrëmje me të vërtetë shumë të bukur. Doja që ta riktheja veten tek ai koncerti i para 33 viteve dhe kaluam me të vërtetë një mbrëmje fantastike.

Arif Ziberi, solisti i grupit  Elita 5  (Foto nga facebook)

Arif Ziberi, solisti i grupit  Elita 5  (Foto nga facebook)

CMG: Unë i kujtoj me shumë nostalgji koncertet e dikurshme, por  si mendon, a kishte më shumë interes dhe etje  për muzikë dikur, apo sot?

Arif Ziberi: Në Shqipëri ka patur më shumë interes dhe etje për muzikë më shumë dikur, që edhe ju i mbani mend. Ne kemi mbajtur koncerte gjatë, kanë qenë koncerte që kanë patur mbi 100 mijë persona në publik, kemi mbajtur koncerte për dy netë me radhë tek ish stadium ‘Dinamo’ në Tiranë, ka qenë koncert me një numër shumë të madh të publikut. Mua më vjen mirë që edhe tani janë rikthyer koncertet  e mëdha, ku kohët e fundit kanë mbajtur koncert në “Air Albania” këngëtarët Elvana Gjata, Alban Skënderaj, Noizy, unë po kënqem që dashtë Zoti, të rikthehet periudha e koncerteve të mëdha dhe çdo artist ta tregojë veten aty ku duhet.

CMG: A i kujton në gjithë këto vite karriere, cilat kanë qenë duartrokitjet më të gjata, më të zjarrta, në cilin koncert?

Arif Ziberi: Kemi kujtime shumë të bukura, në shumë koncerte, por ai kujtim që mua më ka mbetur në mendje ka qenë kur ishim së bashku me grupin e famshëm botëror Scorpions, publiku na ka pritur shumë mirë. Madje më ka mbetur në mendje një intervistë që kam ndjekur të këngëtarit të grupit Scorpions, i cili kishte thënë se “Grupi Elita 5 kishte shumë fansa dhe e pritën shumë mirë”. Janë regjistrimet edhe në youtube, ku mund të shihet entuziazmi që publiku e mirëpriti grupin tonë. Ka patur edhe shumë koncerte të tjera dhe kudo ku jemi publiku na pret shumë mirë, ndoshta edhe ata e vërejnë mundin tonë dhe respektin që ne tregojmë ndaj tyre.

Grupi Elita 5  (Foto nga instagrami)

Grupi Elita 5  (Foto nga instagrami)

CMG: Arif, ne mezi po presim që të sillni një koncert madhështor në Tiranë, ku të kenë mundësi të të ndjekin pse jo të tre brezat për të cilët folëm, të gjithë ata që ndoshta nuk mund të vijnë t’ju ndjekin në lokalet e natës. Kur do të jetë një koncert madhështor i këtij grupi muzikor legjendar, që ka bërë historinë  e muzikës rrok në Shqipëri?

Arif Ziberi: Po e mendojmë një gjë të tillë, pasi kemi kërkesa shumë nga adhuruesit tanë. E mendojmë pasi jemi shumë të pjekur për një koncert të madh, kemi shumë hite të grupit Elita 5, çdo gjë është në favor të një koncerti të tillë. Jemi në fazën e bisedimeve, të një marrëveshje pasi aty duhet një organizim shumë i madh dhe unë do e dëshiroja shumë një gjë të tillë sepse ua kemi borxh adhuruesve tanë, madje shumica që më takojnë nëpër qytet, më lusin që të bëj një koncert  në Pallatin e Kongreseve apo në stadium, pasi moshat e mëdha nuk mund të vijnë nëpër lokalet ku ne performojmë, por për atë grupmoshë që nuk vjen dot në ambjete të tilla,apo edhe për fëmijët, janë ata që  më kanë kërkuar të bëjmë një koncert të tillë, ku mund të vijnë të na ndjekin të gjithë familjarisht. Ne jemi në bisedime dhe do të shohim.

CMG: Faleminderit për intervistën. Ne ju mirëpresim me një koncert madhështor në Tiranë dhe pse jo të shihemi për të pasqyruar projektet tuaja të bukura në vazhdim! Suksese!

Arif Ziberi: Faleminderit ty dhe shpresoj që të shihemi sërish në intervista të tjera!

Intervistoi: Sava Lena