Anëtarësimi i Shqipërisë në ONVV krijon hapësira të shumta për prodhuesit vendas
2024-07-28 17:20:45

Vreshta (Foto Atsh)

Vreshta (Foto Atsh)

Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (ONVV), që krijon mundësi bashkëpunimi dhe hapësira të shumta për prodhuesit shqiptarë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se Shqipëria është vendi i 50-të që i bashkohet kësaj organizate, e cila këtë vit feston 100-vjetorin e themelimit, shkruan “ATSH”.

Sipas ministres Denaj, nëpërmjet miratimit të këtij projektligji, një fokus të veçantë merr harmonizimi me praktikat ndërkombëtare, minimizimi i barrierave tregtare dhe mbrojtja e konsumatorëve, si dhe ka një rëndësi të veçantë përfitimi nga një rrjet prej rreth 1000 ekspertësh.

“Miratimi i këtij projektligji është në përputhje me programin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare”,- theksoi Denaj.

Promovimi i sektorit të vreshtarisë dhe verërave është pjesë e nismës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që synon të diversifikojë eksportet e verës në tregjet jotradicionale.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është në bashkëpunim të ngushtë me fermerët që kultivojnë vreshta dhe prodhuesit e verës, për fuqizimin e këtij sektori, që për shijen, autenticitetin e verës që prodhon, hyn te produktet e ekselencës shqiptare. (Irma)