Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken u takuan të shtunën në Vientiane të Laosit, duke shkëmbyer pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe. Të dy kryediplomatët ranë dakord të mbajnë komunikim në të gjitha nivelet dhe të zbatojnë më tej konsensusin e rëndësishëm ndërmjet dy krerëve të shtetit të arritur nëntorin e kaluar në takimin e San-Franciskos.
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
Gjatë takimit të tij me Blinkenin, Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, tha se në tre muajt e fundit, ekipet diplomatike, financiare, ligjzbatuese e klimatike të të dyja palëve, si edhe dy ushtritë, kanë ruajtur komunikimin, teksa janë shtuar edhe shkëmbimet njerëzore.
Megjithatë, kryediplomati kinez tha që duhet të theksohet se pala amerikane nuk i ka ndalur përpjekjet e saj për të shtypur Kinën, madje ka shkuar edhe më tej.
Marrëdhëniet Kinë-ShBA ende përballen me shumë rreziqe e sfida dhe mbeten në një pikë kritike të çpërshkallëzimit e stabilizimit, ndërsa kërkohen përpjekje për të ndryshuar drejtimin e tyre, për të menaxhuar rreziqet, për të trajtuar siç duhet dallimet, për të hequr pengesat dhe për të nxitur bashkëpunimin, tha Wang.
Tajvani është pjesë e Kinës dhe nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë një vend, vuri në dukje Wang, duke shtuar se "pavarësia e Tajvanit" është kundër paqes ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit.
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
Ministri i Jashtëm kinez shpjegoi gjithashtu çështjen e gumës Renai, duke vënë në dukje se Kina ka arritur një marrëveshje të përkohshme me Filipinet për menaxhimin e situatës. Pala filipinase duhet të mbajë fjalën dhe të ndalojë dërgimin e materialeve ndërtimore, tha Wang, duke i bërë thirrje ShBA-së të mos i hedhë benzinë zjarrit, të mos krijojë telashe e të mos dëmtojë qëndrueshmërinë në Detin e Kinës Jugore.
Kina mban një qëndrim të drejtë e transparent për çështjen e Ukrainës dhe do të vazhdojë të promovojë bisedimet e paqes, tha ministri kinez, duke i bërë thirrje ShBA-së të ndalojë abuzimin me sanksionet e njëanshme dhe shtrirjen e tepruar të juridiksionit. Kina nuk i pranon akuzat e rreme, nuk do t'i nënshtrohet presionit ose shantazhit dhe do të marrë masa me vendosmëri për të mbrojtur interesat e saj madhore e të drejtat e ligjshme, vuri në dukje Wang.
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
Gjatë takimit, Antony Blinken u shpreh se ShBA-ja është fuqimisht e përkushtuar për stabilizimin e marrëdhënieve amerikano-kineze dhe do të vazhdojë të ndjekë politikën e “një Kine”.
Kreu i diplomacisë amerikane theksoi se ShBA-ja pret që të ruajë komunikimin e rregullt me Kinën dhe të vazhdojë bashkëpunimin në fusha të tilla si lufta kundër narkotikëve dhe inteligjenca artificiale.
ShBA-ja dëshiron të menaxhojë dallimet midis dy palëve dhe të shmangë keqkuptimet e gjykimin e gabuar, shtoi ai.
Të dyja palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi situatën në Gazë dhe Gadishullin Korean, çështjen e Mianmarit etj. (Li Huailiang/Artan)