Lojërat Olimpike, Shqipëria përfaqësohet me 8 sportistë
2024-07-28 17:21:46

Shqiperia parakalon ne Sene (Foto Atsh)

Shqiperia parakalon ne Sene (Foto Atsh)

Shqipëria do të përfaqësohet me 8 sportistë në Lojërat Olimpike Verore që zhvillohen në Paris.

Ekipi kuqezi pjesëmarrës në olimpiadë, përbëhet nga: atletja Luiza Gega si dhe tre mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev e Chermen Valiev, të cilët janë kualifikuar me normë, ndërsa me ftesë do të konkurrojë Franko Burraj në atletikë, Greisi Koxhaku dhe Kaltra Meça në not, si dhe Manjola Konini në qitje sportive, shkruan “ATSH”. 

“Krenar për Shqipërinë”, shkroi në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau pamje nga ceremonia unike hapëse e Olimpiadës, e cila u zhvillua në lumin e Parisit, Senë.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së olimpiadës, ku sipas organizatorëve, ishin të pranishëm mbi 80 udhëheqës shtetërorë dhe më shumë se 300.000 spektatorë.

Kreu i qeverisë shqiptare u takua me presidentin francez, Emanuel Macron, në pritjen e organizuar për liderët e shteteve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike. (Irma)