Lindita Nikolla (Foto Atsh)
Lindita Nikolla njoftoi largimin nga pozicioni i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, në mbyllje të këtij sesioni parlamentar.
Nikolla u shpreh se largimi i saj vjen për arsye personale, shkruan “ATSH”.
“E mora fjalën në fund të këtij sesioni të gjashtë të legjislaturës X-të të Kuvendit të Shqipërisë, për të ndarë me të gjithë ju një informacion që në respekt të institucionit besoj se duhet ta jap duke ju parë në sy. Këtu mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon”,- tha Nikolla.
Ajo falënderoi deputetët për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gjithë administratën e Kuvendit për punën e madhe që bën çdo ditë në mbështetje të veprimtarisë parlamentare. (Irma)