Ministri Peleshi: Kemi 21 fusha bashkëpunimi me Turqinë
2024-07-28 16:48:14

Ushtare shqiptare (Foto Atsh)

Ushtare shqiptare (Foto Atsh)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se Marrëveshja Kuadër e Bashkëpunimit Ushtarak Shqipëri-Turqi synon të forcojë partneritetin mes dy vendeve në fushën e ushtrisë.

Ministri Peleshi deklaroi nga Kuvendi i Shqipërisë se Turqia është një shtet me të cilin kemi një bashkëpunim intensiv në 21 fusha, duke përfshirë atë të sigurisë, mbrojtjes dhe emergjencave civile, shkruan “ATSH”.

Ministri solli në vëmendje mbështetjen që Turqia ka dhënë në ditë të vështira, siç ishte tërmeti i vitit 2019 apo pandemisë Covid-19. Gjithashtu, vijoi ai, mbështetja e grantit prej 100 milionë lira turke është aktualisht në implementim për modernizimin e Forcave të Armatosura. Ndërsa në sajë të marrëveshjes ndërshtetërore Shqipëria bleu tre dronët “Bajraktar”.

Ministri Peleshi tha se Shqipëria merr pjesë në stërvitje të përbashkëta dhe në stërvitje në Turqi siç ishte edhe “Strong Ballkan”, që u zhvillua në Shqipëri me pjesëmarrjen edhe të personelit ushtarak nga Turqia.

Kuvendi miratoi me 97 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë”. (Irma)