Lindita Kaimi, soliste e valles në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe koreografe e njohur prej vitesh punon me fëmijët e të rinjtë, duke ju mësuar vallet popullore shqiptare. Puna e saj e palodhur me talentet e vegjël të skenës, ka rrëmbyer vlerësimet maksimale. Vitet e koreografes Lindita Kaimi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, janë triumfi i karrierës artistike, duke mos lënë pas edhe punën 20 vjeçare me talentet e rinj. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për fillimet e saj si balerinë, koncertet me ansamblin popullor brenda dhe jashtë vendit si dhe angazhimin si koreografe e valleve shqiptare.
Lindita Kaimi (Foto personale)
Lindita Kaimi me grupin e valleve (Foto personale)
CMG: Si nisi rrugëtimi juaj si valltare me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore?
Lindita Kaimi: E kam filluar me këngën dhe më vonë mora pjesë në një festival të këngës në Shkodër, ku si këngëtare bënim kurs në kompleks me profesor Robert Radoja. Sa herë që shkoja në kursin e këngës në korridor djathtas ishte një sallë baleti , e cila më tërhiqte. Kur shkoja në shkollë shikoja grupet që kërcenin sepse më tërhiqte shumë. Një ditë më ndodhi që në vend të futesha në sallën e korit, hyra te salla baletit dhe nuk dola më. Aty jam futur në klasën e pestë deri në klasën e tetë. Kur isha në klasën e tetë erdhi një çift nga ansambli popullor dhe kërkonin një balerinë. Shpresa Dhako drejtoi gishtin tek unë, por unë kisha dhe një shoqen time në krah dhe doja të shkonte ajo. Kjo vajzë shkoi të konkurronte në ansamblin popullor dhe më mori dhe mua për ta shoqëruar sepse kishte emocione. Në kohën që u hap dera e sallës së baletit, Shpresa i tha profesorit se unë isha ajo që kërkonin. Mua më vinte turp sepse isha fëmijë dhe i thanë shoqes time të bënte konkursin dhe mbrapa do ta provoja dhe unë.
Në sallë pashë Çesk Zadenë, Tish Dainë, Agim Krajkën, i madhi Panajot Kanaçi, Agron Aliaj dhe Gëzim Kaceli. Koreografët që në atë kohë për ne ishin si njerëz te paarritshëm. Ansambli popullor në atë kohë sapo ishte kthyer nga Dizhoni dhe kishte një famë e jashtëzakonshme. Hyra në sallë si fëmijë dhe arrita t’i kaloja të gjitha provat. Kështu që më thanë të filloja punë në ansambël në dhjetor të vitit 1971. Fillova si soliste e dytë që në ditën e parë, sepse atëhere nëse nuk ishe e talentuar nuk të merrte njeri. Ishte një nivel i jashtëzakonshëm i ansamblit, ku dhe puna që bëhej ishte shumë e mirë duke qenë ekzakt në çdo gjë.
Lindita Kaimi në intervistë për CMG
CMG: Sa vite punuat ne ansambël dhe si i kujtoni koncertet brenda dhe jashtë vendit?
Lindita Kaimi: Unë kam filluar në ansambël në vitin 1971 dhe e kam mbyllur aktivitetin si balerinë skene në vitin 1993. Atje ishte një punë e jashtëzakonshme, ku për të vënë në skenë një valle ose për të kërcyer një valle bëhej një punë e studiuar. Për të vënë një valle një koreograf duhej së pari ta shkruante se çfarë mendonte dhe ta tregonte në kolektiv. Pastaj të gjithë e pranonin apo jo, por që me çdo kusht duhet të tregonte motivin e valles dhe krahinën. Ne shkonim në atë krahinë për të parë fshatarët sesi kërcenin dhe ktheheshim në sallë për të mësuar karakterin dhe mënyrën e të kërcyerit.
Gjithashtu në atë kohë ishte ngritur Instituti i Folklorit që kishte të gjitha xhirimet e trevave të Shqipërisë, ku ne shkonim atje dhe ktheheshim në sallë për të ndërtuar vallen si koreograf. Pra, që të vihej një valle në skenë atëhere duhej të kalonte në shumë komisione. Puna në ansambël ka qenë e një niveli shumë të lartë. Kostumi popullor duhet të ishte shumë i rregullt, makjazhi dhe mënyra e krehjes apo vendosja e shamisë në kokë gjithashtu. Të gjitha këto ishin shumë të studiuara dhe kur dilje në skenë ishte inspektori i skenës që nuk toleronte të dilje ashtu si mendoje ti. Me ansamblin kemi bërë turne dhe koncerte në shumë shtete, si Suedi, Norvegji, Greqi, Itali, Gjermani, Austri, Zvicër dhe deri në Australi.
Lindita Kaimi dhe valltaret në festën e ditës së verës në Elbasan (Foto personale)
CMG: Ndërkohë që vitet e fundit punoni si koreografe e valles me fëmijët e të rinj. Na tregoni për këtë eksperiencë tuajën me talentet e vegjël?
Lindita Kaimi: Kur dola në pension nga ansambli rastësisht takova të madhin Agron Aliaj, i cili më tha që unë dhe brezi im duhet patjetër ta përçojmë këtë që kishim marrë nga ansambli. Ai më tha t’u mësoja fëmijëve vallen dhe më futi në mendime. Kam filluar të jap mësim tek qendra “Robert Radoja”, sepse profesori i tha se nëse duhet të ngrinte një grup dhe të bënte shkollë i sugjeroi emrin tim. Mua mu duk pak e çuditshme sepse nuk e shikoja veten me fëmijët.
CMG: Si kanë qenë këto 20 vite për ju më fëmijët?
Lindita Kaimi: Fillimisht ka qenë e vështirë sepse ishte shuar interesi për vallen popullore, ngaqë të rinjtë ishin të etur për muzikën moderne në atë periudhë, por ishin dhe kuriozë për vallen popullore. Më vonë gradualisht pashë që nëpër evente filluan ta kërkonin vallen popullore, herë pas here filluan ta kërkonin dhe nëpër shkolla. Ndërkohë që tani e pëlqejnë vallen popullore dhe në çdo event rinia është e interesuar. Shumë prindër vijnë për të sjellë fëmijët dhe kërkojnë të mësojnë vallet popullore të krahinave të tyre.
CMG: Djemtë apo vajzat janë më të interesuara për të mësuar vallet?
Lindita Kaimi: Kur kam filluar këtë punë vite më përpara kam patur 10-12 djem. Vajzat janë më të interesuara, kurse djemtë e kanë pak më të vështirë.
CMG: Keni marrë pjesë në mjaft aktivitete brenda dhe jashtë vendit me grupin e valltarëve të vegjël. Flasim më konkretisht ku keni qenë?
Lindita me grupin e valleve gjatë një eventi (Foto personale)
Lindita Kaimi: Fëmijët fillojnë të mësojnë vallet që në moshën 4 vjeçare, por ka dhe mosha më të rritura 10-15 vjeç si dhe vajza që janë 21 vjeç. Ata që janë mbi 15 vjeç bëjnë turne nëpër festivale të ndryshme në botë. Ka festivale folku për moshën mbi 15 vjeç dhe për fëmijët 10-15 vjeç, por më shumë aktivitete kanë ata që janë mbi 15 vjeç. Kemi shkuar nëpër turne në Itali, Turqi, Maqedoninë e Veriut, disa herë në Kosovë. Vjet ishim në Belgjikë dhe këtë vit do ikim prapë në Kosovë, Bullgari, Itali dhe shumë aktivitete të tjera. Gjithashtu marrim pjesë dhe në festivalet e folkut në Shqipëri, siç është festivali ballkanik.
CMG: Ndahen çmime ose certifikata në këto festivale?
Lindita Kaimi: Sigurisht që këto festivale ndajnë certifikata, çmime të para dhe të dyta, ose çmime për veshjet dhe kostumet që janë më origjinale.
CMG: Vitet e fundit ansamblit popullor i janë bashkuar shumë të rinj dhe të reja të talentuar në fushën e valles. Cili është mendimi juaj për përfshirjen e të rinjve në ansambël?
Lindita Kaimi: Ka shumë të rinj të talentuar, dhe para pak kohësh u zhvillua një recital për të madhen Liliana Cingu, ajo e kishte lënë si projekt për ta bërë dhe e bëri ansambli. Unë vura re që atje kishte elementë të rinj, sidomos djemtë shumë të talentuar, por duhet një dorë e fortë që t’ja përçojë atyre karakterin, nuancat, mënyrën e veshjes dhe të vendosjes së shamisë. Të rinjtë duhet të përfshihen patjetër në ansambël nga mosha 15 deri 40 vjeç i mban skena, dhe mbas 40-45 vjeç nuk të mban më skena sepse është ligji i fizikut.
CMG: Cilat valle mësojnë më shpejt fëmijët?
Valltaret gjatë performance (Foto personale)
Lindita Kaimi: Kemi nxënës nga e gjithë Shqipëria, secili pëlqen më shumë zonën e vet, sepse i është mësuar veshi, ka parë diçka dhe e ndjen më shumë trevën e vet. Unë shikoj që kanë interes, e pëlqejnë dhe e kërcejnë vallen.
CMG: Si ka qenë reagimi i të huajve për vallet tona në festivale ndërkombëtare?
Lindita Kaimi: Në Belgjikë kishte 30 vjet që nuk kishte shkuar asnjë grup. Kur shikonin kostumet tona të larmishme, një valle jugu, veriu apo të Shqipërisë së mesme habiteshin. Folklori jonë dominon mbi folklorin e vendeve të tjera.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit e valles.
Lindita Kaimi: Mesazhi im është që të sjellin sa më shumë fëmijët nëpër kurse të ndryshme, që të mësojnë vallen shqiptare sepse është shumë e bukur.
Intervistoi: Gazmend Agaj