Shkodra dhe Ulqini do të lobojnë për heqjen e siguracionit 15 euro në kufi
2024-07-27 13:52:59

Takimi Shkoder-Ulqin (Foto ATSh)

Takimi Shkoder-Ulqin (Foto ATSh)

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, priti në një takim kryetarin e komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe një ekip drejtuesish që e shoqëronte. Gjatë takimi u vendos që të dyja bashkitë të lobojnë bashkërisht në qeveritë respektive, për heqjen e taksës së sigurimit 15 euro, që shtetasit shqiptarë paguajnë kur udhëtojnë me automjet në pikat e kalimit kufitar që lidh dy vendet, shkruan “ATSH”.

Kryebashkiaku Beci, në një postim në rrjetet sociale, deklaroi se Shkodra dhe Ulqini do të thellojnë bashkëpunimin jo vetëm si dy qytete tradicionalisht të lidhura dhe me histori të përbashkët, por bazuar edhe në projekte të reja.

Kryebashkiaku Beci theksoi se gjatë takimit u ra dakord për një bashkëpunim të ngushtë dhe të ndërsjelltë ekonomik mes Shkodrës dhe Ulqinit, me koordinimin dhe shkëmbimin e përvojave të bizneseve.

“Ramë dakord për krijimin e mundësive reale për kthimin e lumit Buna në të lundrueshme dhe shfrytëzimin e mundësive dhe burimeve të Liqenit të Shkodrës si motor ekonomik për të dyja vendet; për bashkëpunim në fushat e kulturës, arsimit, projekte ndërkombëtare, shërbime të përbashkëta dhe përgjigje ndaj emergjencave. Dakordësuam të lobojmë në dy qeveritë tona, atë të Shqipërisë dhe Malit të Zi, për heqjen e pagesës së siguracionit 15 euro që shtetasit shqiptarë paguajnë në pikat e kalimit kufitar që lidh Shqipërinë me Malin e Zi”, tha Beci.

Takimi u përmbyll me një vizitë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, mes historisë dhe fotografive që nxjerrin në pah lidhjen e kahershme që kanë Shkodra dhe Ulqini. (Irma)