Raporti i DAP 2023, ministrja Pirdeni: Pati rritje pagash deri në 46% për administratën publike
2024-07-27 13:03:09

Ministrja Pirdeni (Foto ATSh)

Ministrja Pirdeni (Foto ATSh)

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se gjatë vitit 2023 u finalizua faza e parë e reformës së rritjes së pagave, duke u përmbyllur në qershor-korrik të këtij viti faza e dytë, me miratimin e vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave, shkruan “ATSH”.

Gjatë paraqitjes në Kuvendin e Shqipërisë së raportit vjetor të Departamentit të Administratës Publike për vitin 2023, ministrja Pirdeni tha se rritja e pagave ka variuar nga 16-46%, duke përfshirë pagat e të gjithë institucioneve duke përfshirë pagat e punonjësve të administratës publike.

Ministrja theksoi se u realizua gjithashtu reforma e elementëve të pagës bruto mujore për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë me të njëjtën strukturë page.

Ministrja theksoi se viti 2023 shenjoi disa zhvillime për zbatimin e reformës të Administratës Publike në Shqipëri. Sipas saj, çelja e negociatave për anëtarësimin në BE, në korrik 2022, solli përfshirjen e të gjithë aparatit administrativ në shqyrtimin analitik të legjislacionit, të quajtur ndryshe edhe procesi screening, testi më intensiv i nivelit të përgatitjes së administratës publike shqiptare”.

“Suksesi i procesit screening vërtetoi përtej çdo perceptimi një realitet të pamohueshëm të nivelit të pjekurisë së administratës publike shqiptare për t’u përballur me shumë dinjitet me sfidat e anëtarësimit”,- tha ministrja Pirdeni.

Pirdeni tha se u hartua udhërrëfyesi për reformën në administratën publike 2023-2030 dhe se po monitorohet zbatimi i detajuar i udhërrëfyesit në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

Ministrja Pirdeni bëri të ditur se në vitin 2023 Departamenti i Administratës Publike ka udhëhequr një tjetër proces me rëndësi primare, hartimin e strategjisë së re ndërsektoriale për reformën në administratën shtetërore 2023-2030. (Irma)