Agroturizëm (Foto ATSh)
Zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri ka filluar të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë të huaj, duke ndikuar dhe në rritjen e kontributit të këtij sektori në industrinë e turizmit në vend, shkruan “ATSH”.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga një agroturizëm në Berat, deklaroi se ai po frekuentohet rregullisht nga turistët e huaj këtë sezon veror, të cilët krahas bukurive të natyrës shijojnë edhe prodhimet lokale të zonës.
“Kantina, pikë agroturistike, pret turistë vendas dhe të huaj që kanë mundësinë të shijojnë produkte cilësore të verës dhe rakisë, shoqëruar me shijen e ushqimeve tradicionale shqiptare. Turistët shijojnë atmosferën e jashtëzakonshme të degustimit të verës dhe produkteve lokale, ushqimin autentik dhe dollitë me raki, siç i do zakoni, të gjitha këto nën tingujt e këngëve dhe valleve tradicionale”,- shkroi ministrja Denaj. (Irma)