Elena Papajovan, një piktore e talentuar me një pasion të zjarrtë për artin, ka zgjeruar horizontet e saj krijuese duke u bërë tatuazhiste. Me një sfond të pasur në pikturë, ajo sjell në tatuazhe një ndjeshmëri të veçantë për detajin dhe ngjyrat. Çdo tatuazh që krijon është një vepër unike arti, e mbushur me kujdes dhe emocion. Puna e saj reflektuar në lëkurë është një përzierje harmonike e estetikës tradicionale dhe moderne, duke u përshtatur me preferencat dhe personalitetin e secilit klient. Elena transformon çdo ide në një dizajn të gjallë dhe të ndjeshëm, duke i dhënë klientëve të saj një pjesë të artit që mund ta mbajnë me vete përgjithmonë. Rrugëtimin e saj në artin e të pikturuarit në lëkurë Elena e rrëfen për Radio Ejani.
Elena Papajovan (Foto personale)
Arti për mua është një pjesë shumë e rëndësishme si pjesë e imja si individ, si pjesë e përditshmërisë sime. Mënyrat sesi i shoh gjërat, mënyra si perceptoj gjithë jetën. Arti është pjesë e karakterit, pjesë e stilit. Një pjesë shumë e rëndësishme e imja dhe është pak e vështirë ta kornizoj ose ta definoj si gjë. Kam një përshtypje që është ajo çfarë e bën njeriun special dhe në rastin tim është edhe dashuria që kam për artin, për të bukurën, për krijimtarinë në përgjithësi.
Kam një përshtypje që unë kam filluar të vizatoja, nëqoftëse mund të quhet, që kur kam qenë pesë vjeç, domethënë kam pasur gjithnjë tërheqjen drejt lapsave, drejt ngjyrave, drejt letrës. Thjesht fakti që të kisha një laps në dorë edhe të bëja qoftë edhe ato linjat që janë pa asnjë lloj kuptimi specifik. Thjesht më pëlqente sesi lapsi, sesi ngjyra, sesi boja dukeshin, dhe u ndjenin në letër. Tatuazhet kanë qenë, me sa mbaj mend unë, rreth moshës 12-të – 13-të vjeç. Unë kam qenë gjithmonë ai personi që do të merrja ngjyra edhe do të vizatoja krahët e fëmijëve, të kushërinjve përveç trupit tim. Pastaj mbaj mend që kam parë nga një kronikë në një televizion grek ose italian, tani nuk jam shumë e sigurt por ka qenë një artist që po fliste mbi përvojën e vet dhe unë mbaj mend që po dilja nga shtëpia dhe thjesht ngela duke parë televizorin dhe mu krijua një ide shumë e pastër që mua më pëlqen kjo gjë dhe unë do ta kuptoj se çfarë është dhe do të merrem me këtë gjë specifikisht. Pastaj normalisht nga ai moment kaloi kohë derisa unë e putova me të vërtetë se çfarë ishte dhe me të vërtet mësova ta dua më shumë sesa piktura në letër ose piktura në telajo. Filloi të më pëlqente më shumë ndjesia e bojës në lëkurën e njeriut sesa e lapsit në letër. Tatuazhi i parë që i kam bërë dikujt dhe ai moment ka qenë shumë i rëndësishëm në jetën dhe në karrierën time se e dija që nga mënyra sesi do të shkonte ajo ditë specifike, ai proces specifik do të ishte edhe vazhdimi im në këtë drejtim. Domethënë mënyra sesi do të dilte imazhi, mënyra sesi do ta superoja unë të gjithën ishte shumë e rëndësishme. Qëlloi që u panikova më pak sesa mendoja, më erdhi goxha natyrshëm, edhe personi që po punoja normalisht u tregua shumë i duruar me mua. Mbaj mend që kam qenë pak më pak se 18-të vjeç dhe ju bëra “morr” një artisti tjetër në kuptimin e parë të fjalës dhe më tha hajde mere provoje edhe të paktën unë në atë moment isha shumë e kënaqur me veten time dhe isha shumë e lumtur që shkoi shumë herë më mirë sesa e prisja. Kjo ka ndodhur këtu e dhjetë vite e pak përpara.
Si të gjithë kam ndryshuar shumë me kalimin e kohës por e gjej veten gjithmonë të përfshirë edhe tregoj interes në gjëra të ndryshme në periudhë të ndryshme kohe. Një periudhë ka qenë natyra, që ishte shumë e rëndësishme për mua ose të kaluarit kohë vetëm domethënë ajo më frymëzonte. Pastaj në një moment tjetër kanë qenë njerëzit, çdo karakter i veçantë, çdo personazh i veçantë. Një njeri mund të më jepte shumë impakt. Në një moment tjetër ka qenë muzika, kanë qenë gjendje të caktuara shpirtërore. Është shumë personale dhe shumë specifike si gjë, domethënë është një lloj procesi që as vetë nuk arrij ta kuptoj se kur ndodh. Thjesht mund të jem në një moment shumë e përqëndruar në diçka tjetër dhe thjesht vjen një ngacmim i vogël dhe të vazhdoj me linjën e një procesi të gjatë.
Foto:VCG
Si fillim janë disa gjëra që nuk duhet që njerëzit ti bëjnë. Duke filluar që në momentin që një person nën 18-të vjeç hyn në studio dhe ti përpiqesh që mos t’ia “vrasësh” qejfin dhe ti thuash: shiko se do pak kohë që të formohesh si individ që të vendosësh me të vërtetë për një gjë që do ta kesh gjithë jetën në trup. Po nëqoftëse ai personi e ka ndarë mendjen patjetër që mund të vij me praninë e prindërit, por gjithmonë unë personalisht përpiqem që të flas edhe ta orientojë aty ku mendoj se është më e pranueshme. Ndërsa nga ana tjetër unë mendoj që çdo artist në stadin që i ka vendosur vetes, në stadin që mendon se është, ka të drejtën le të themi që të pranojë ose jo disa imazhe ose koncepte që do ti punojë. Është totalisht përtej gjykimit të një ideje specifike por unë personalisht nuk do të doja të punoja me imazhe jo të dizenjuara nga unë. Tregu në Shqipëri është pak i ngurtë ose më duket mua sikur nuk perceptojnë dot që të flasin me tatuatorin, ta bëjnë procesin nga fillimi, ta diskutojnë idenë, të hedhin në letër disa skica pastaj të shohin. Po thjesht vijnë me atë imazhin që kanë gjetur në kërkimin e tyre në dhjetë minuta dhe ta kenë në trup për gjithë jetën. Unë e di që shumica e artistëve që janë në Shqipëri do të jenë shumë të lumtur që klientët ti besojnë krijimtarisë së tyre artistike dhe jo vetëm të na shohin si kjo është fotokopja që do ma kalojë mua këtë imazh në lëkurë dhe kaq.
Puna më sfiduese nga ana artistike ka qenë momenti që unë do të doja ta shtyja veten në një nivel tjetër, qoftë në një imazh që është pak më i madh dhe do më shumë kohë për tu punuar. Domethënë duke e sforcuar pak veten le të themi thjesht nga qejfi për ta realizuar brenda një kohe të caktuar. Ai momenti që i thua vetes shiko se mund ta shtoj edhe këtë detaj, mund ta përmirësoj pak më shumë. Unë si individ e kam pak të vështirë që të them: ok, boll me kaq domethënë deri këtu. Ndërsa ana tjetër e punës që unë konsideroj sfiduese janë disa karaktere specifike njerëzish. Mund të jetë një imazh lehtësisht i punueshëm por thjesht personi që po e merr si shërbim është pak i lodhshëm. Domethënë është ai momenti që personi të vë gjatë gjithë kohës në një tension të çuditshëm. Janë situata shumë specifike por që ndodh që vetë individi ta bën punën më sfiduese pa asnjë lloj arsyeje.
Tatto nga E.Papajovan
Nëse do të kisha veten të një moshe po thoja 13-të ose 14-të vjeç e para e punës do e kaptja dhe do ta shkundja dhe do ti thoja që çfarëdo lloj gjëje është një proces. Se unë gjithmonë kam pasur një lloj koncepti shumë të gabuar të gjërave në atë periudhë. Domethënë unë mendoja që kjo është maja edhe këtu do të arrish direkt nga këtu. Pra nuk e konceptoja që ka qenë një rrugë që duhet ta ndjekësh edhe duhet të gabosh, edhe duhet të biesh, ndonjëherë edhe me fytyrë. Vetëm kaq do ti thoja që duhet ti besosh më shumë procesit dhe kohës që do ti si individ për të arritur nga pika A tek pika B. një gjë tjetër që unë e bëja gabim, dhe kam një përshtypje që akoma e bëj, është që i vë vetes disa lloj objektivash shumë të komplikuara. Domethënë nuk e ndjek atë rrugën por përpiqem ti kaloj gjërat duke u mar me shumë gjera në të njëjtën kohë. Pak më durim do ti thoja vetes të kesh edhe pak më shumë mirëkuptim edhe dashuri për kohën që të duhet ty si person për të arritur gjërat.