Rrumbullaku: Policia e Shtetit ka prioritet rritjen e hetimeve të përbashkëta me SELEC
2024-07-27 13:05:02

Drejtori i Policise se Shtetit shqiptar ne Bukuresht (Foto ATSh)

Drejtori i Policisë së Shtetit shqiptar në Bukuresht (Foto ATSh)

Drejtori i përgjithshëm i Policisë shqiptare të Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, zhvilloi një takim në Qendrën për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore, SELEC, me qendër në Bukuresht, në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani.

Delegacioni shqiptar u prit nga drejtori i përgjithshëm i SELEC, Oguz Serkant Akin, i cili e njohu drejtuesin e Policisë shqiptare me aktivitetin e organizatës, që bashkon sinergjitë e policive dhe autoriteteve doganore të 11 vendeve anëtare, me synimin për të përmirësuar luftën kundër të gjitha formave të krimeve ndërkufitare, përfshirë krimet e rënda dhe atë të organizuar, si dhe për të lehtësuar bashkëpunimin në Europën Juglindore.

Rrumbullaku falënderoi SELEC për mbështetjen logjistike që u jep punonjësve të Policisë shqiptare të Shtetit në zhvillimin e aktiviteteve, siç janë takimet operacionale dhe shkëmbimi i informacionit me autoritetet ligjzbatuese të vendeve anëtare dhe atyre partnere, shkruan “ATSH”.

“Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me SELEC, Policia e Shtetit nënvizon si prioritar rritjen e numrit të hetimeve të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve të njësive të specializuara për luftën kundër krimit të organizuar, nëpërmjet sigurimit të trajnimit të punonjësve dhe të pajisjeve të nevojshme. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit do të jetë edhe më aktive në drejtim të shfrytëzimit të mundësive dhe kapaciteteve, që SELEC ofron dhe mundëson”,- u shpreh Rrumbullaku.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë shqiptare të Shtetit vlerësoi nismën e SELEC për organizimin e një konference mbi pastrimin e produkteve nga aktiviteti kriminal, sekuestrimin e aseteve dhe aktiviteteve të lidhura me to. (Irma)