Foto nga VCG
Vetëm pak ditë pas plenumit të tretë të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës, një delegacion i përbërë nga drejtues të kompanive amerikane, si "FedEx", "Goldman Sachs", "Apple", "Boeing" dhe "Micron Technology" vizitoi Kinën. Disa analistë thonë se vizita e një grupi drejtuesish të rëndësishëm biznesi nga ShBA-ja në Kinë në këtë kohë tregon se ata janë të etur për të kuptuar politikat e Kinës për thellimin e mëtejshëm të reformës dhe për të kapur mundësitë që ofrojnë ato.
Drejtuesit e biznesit amerikan shprehën pritshmërinë e tyre që plenumi të nxisë raundin e ri të reformës ekonomike dhe hapjen më të gjerë të Kinës, duke tërhequr më shumë investime të huaja të qëndrueshme.
Ajo që i tërheq drejtuesit e biznesit amerikan ta vizitojnë Kinën në këtë moment është se të dhënat e fundit tregojnë që ekonomia kineze ka vazhduar të rimëkëmbet. PBB-ja e Kinës në gjysmën e parë të vitit arriti në 61.7 trilionë juanë, me një rritje prej 5.0 % nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ngriti së fundmi parashikimin e tij për rritjen ekonomike të Kinës këtë vit, duke besuar se ekonomitë e reja të Azisë, të përfaqësuara nga Kina, do të mbeten motori kryesor i rritjes ekonomike globale.
Shumë analistë ndërkombëtarë kanë vënë re se në vendimin e plenumit të tretë të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës për "përmirësimin e sistemeve dhe mekanizmave të hapjes së nivelit të lartë", ekziston një fjali e tillë: "Duke u mbështetur në epërsitë e tregut të madh të Kinës do të përmirësohet aftësia e saj e hapjes në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar." Nga dy fjalët kyçe "treg" dhe "bashkëpunim", mund të shohim bazën dhe mënyrat se si Kina do të forcojë aftësinë e saj të hapjes, gjë që është gjithashtu një faktor kyç në tërheqjen e investimeve të huaja.
Le të shohim së pari tregun me përmasa të mëdha, i cili është një epërsi e jashtëzakonshme e Kinës. Sipas vlerësimeve, çdo 1 pikë përqindje rritje në shkallën e urbanizimit të Kinës do të nxisë afërsisht 140 miliardë dollarë investime të reja e 28 miliardë dollarë konsum të ri. Ndërkohë, çdo 1 pikë përqindje rritje e numrit të shtresës së mesme do t'i shtojë shpenzimet e konsumit me më shumë se 150 miliardë dollarë në vit.
Foto nga VCG
Askush nuk dëshiron ta humbasë këtë mundësi. Le të marrim si shembull "Starbucks"-in. Në tremujorin e parë të këtij viti, kjo kompani hapi 118 dyqane të reja në Kinën kontinentale, me një rritje prej 14 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dyqanet e reja në qyteza janë bërë një nga pikat ee rëndësishme të rritjes së biznesit. Përparësitë e tregut në shkallë të gjerë të Kinës vazhdojnë të çlirohen dhe kompanitë e huaja do të ndajnë më shumë mundësi të reja nga reforma e Kinës.
Le të shohim më tej bashkëpunimin ndërkombëtar. Plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës lëshoi një sinjal të qartë - Kina do të marrë iniciativën për t'u përshtatur me rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare të standardeve të larta, gjë që do të sjellë një mjedis institucional transparent, duke eksploruar më tej fokusin e bashkëpunimit. Përfaqësuesit e delegacionit amerikan që vizituan Kinën këtë herë theksuan se kanë besim në vazhdimin e thellimit të biznesit të tyre në Kinë dhe presin thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në shumë fusha, si ekonomia dhe tregtia, investimet, zhvillimi i gjelbër, shëndetësia, arsimi dhe shkëmbimet njerëzore.
Foto nga VCG
Nga vizita e delegacionit të krerëve të kompanive amerikane në Kinë, njerëzit shohin gjithashtu një element kyç: Kina e ka kundërshtuar gjithmonë shkëputjen dhe mbron zhvillimin e përbashkët. Kjo është në përputhje me rregullat ekonomike dhe është në interes të kompanive amerikane.
Me tregun e madh të Kinës bota do të ketë më shumë mundësi. Zhvillimi i Kinës ka një shkallë të lartë sigurie, koherence dhe vazhdimësie, që do të thotë pritshmëri të qëndrueshme për botën. Në të ardhmen, me zbatimin e vazhdueshëm të më shumë se 300 masave të rëndësishme reformuese të propozuara në plenum, gjallëria e tregut kinez do të vazhdojë të stimulohet, duke i dhënë shtysë modernizimit të stilit kinez dhe duke ofruar hapësirë më të gjerë zhvillimi për ndërmarrjet e mbarë botës, duke përfshirë kompanitë amerikane. (Çang Çuo)