Si po i presim 14 milionë vizitorë të huaj këtë vit?
2024-07-26 10:35:48

Pamje nga plazhet shqiptare (Foto revista Monitor)

Pamje nga plazhet shqiptare (Foto revista Monitor)


Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Shqipëria në 6 muajt e parë janar-qershor 2024, ka pritur 4.5 milionë vizitorë të huaj, ose 34 përqind më shumë se e njëjta periudhe e vitit 2023. Një pjesë e mirë e këtyre të ardhurve kanë vizituar plazhet e bukura, parqet kombëtare, kalatë, qendrat e qyteteve, fshatrat turistikë, bujtinat, atraksionet historike dhe arkeologjike të vendit, etj.

Vetëm gjatë muajit qershor 2024, Shqipëria priti 1.2 milionë vizitorë të huaj, ose 19,1 përqind më shumë se qershori i vitit 2023.

Sa i takon shifrave, shtimin më të fortë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në krahasim me janar-qershor 2023, e kanë patur turistët nga Kina, Hollanda, Turqia dhe Rumania, me 131 përqind ose 2.3 herë më shumë.

Pamje nga Berati (Foto Abc News)

Pamje nga Berati (Foto Abc News)

Të dytët renditen francezët, me një rritje 93 përqind më shumë se në gjashtëmujorin e një viti më parë.

Ndërkohë, numrin më të lartë të vizitorëve për periudhën janar-qershor 2024, e zënë kosovarët me 1.7 milionë qytetarë, të ndjekur nga italianët me 486 mijë qytetarë.

Po ashtu, është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve në qendrat kulturore, historike dhe arkeologjike të Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar-maj 2024, mbi 663 mijë vizitorë kanë patur interes për të parë nga afër monumente të kulturës dhe kalatë tona të shumta, duke shënuar rritje me 60 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Po gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, muzetë kombëtarë të vendit regjistruan mbi 148 mijë vizitorë, me një rritje prej mbi 71 përqind, krahasuar me 5-mujorin e parë të vitit 2023.

Për shkak të fluksit të madh të të ardhurve, importet e mallrave ushqimore në periudhën janar-qershor 2024 u shtuan me 20 përqind, ndërsa vetëm për muajin qershor 2024, importuam 53 përqind më shumë drithra, 38 përqind më shumë ëmbëlsira, 24 përqind më shumë peshk dhe 19 përqind më shumë bulmetra. Për një vend me emigracion të ndjeshëm ekonomik si Shqipëria, rritja e importeve ushqimore është shenjë e qartë e një ritmi shumë të lartë të ardhjes së turistëve të huaj.

Pamje nga Saranda (Foto Klan)

Pamje nga Saranda (Foto Klan)

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duhet të përgatitetmi për të pritur deri në fund të këtij viti mbi 14 milionë vizitorë të huaj.

Po kjo ministri njofton se përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ajo po mbështet 7 bashki bregdetare, me operatorë shtesë pastrimi për menaxhimin e mbetjeve urbane gjatë muajve të pikut të sezonit. Ky aksion  ka nisur që nga 15 qershori 2024, ndërkohë që 34 qendra shëndetësore në të gjithë vendin janë në shërbim të plote te pushuesve.

Policia Kufitare, përmes një flote të dedikuar, po ushtron kontrolle mbi të gjithë operatorët detarë që kryejnë aktivitete turizmi, me qëllim rritjen e sigurisë së aktiviteteve të pushuesve në bregdet.

Aksesi rrugor për në zonat më të dendura turistike të vendit, sidomos për në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, është lehtësuar ndjeshëm, përmes Autostradës së kategorisë “A” të Bashkimit Evropian Thumanë-Kashar, e hapur që prej 30 qershorit 2024, si dhe Tunelit të Llogarasë, ndër më të gjatët në Ballkan, i hapur për qytetarët më 5 korrik 2024. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ekspertja e turizmit Nevila Popa komenton ecurinë e turizmit në 6 mujorin e parë të vitit dhe pritshmëritë në vijim

CMG: Pak ditë më parë, në bazë të të dhënave të INSTAT, Ministria jonë e Turizmit dhe e Mjedisit njoftoi se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janar-qershor 2024, Shqipërinë e vizituan 4.5 milionë vizitorë të huaj. Ministria parashikon që gjatë gjithë këtij viti të presim 14 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 40 përqind më shumë se në vitin 2023. Opinioni juaj ju lutem.

Nevila Popa: Po, parashikimet besoj kanë një bazë, në të cilën ato vlerësohen. Nuk është çudi t’i kemi këto numra. Sfida jonë kryesore është menaxhimi i këtyre mbërritjeve, jo vizitorëve, që kemi në Aeroportin e Tiranës, për shembull, pasi ato janë shifra të sakta.

Por, që të themi turistë dhe sa sjellin ata në ekonominë tonë, duhet t’i shohim këto shifra më shumë tek strukturat akomoduese, hotele apo apartamente, ose Airbnb që përdoren.

Turistë të huaj në Shqipëri (Foto Java News)

Turistë të huaj në Shqipëri (Foto Java News)

Kjo na shërben për të patur një realizim të saktë të numrave dhe të të dhënave që na duhen për turizmin, si dhe të kemi një planifikim më të mirë.

CMG: Në gjykimin tuaj, 40 përqind më shumë mbërritje të vizitorëve të huaj, a do t’i vendosin kapacitetet tona pritëse në qytete dhe në destinacionet turistike nën presion? Apo kemi kapacitete të mjaftueshme?

Nevila Popa: Kapacitetet janë të mjaftueshme, pasi shpërndarja e këtyre mbërritjeve jo e gjitha shkon në hotele, por mund të jenë edhe apartamente apo Airbnb, që së fundmi si biznes ka marrë hov të madh kudo në botë, jo vetëm në Shqipëri.  Mirëpo, për shkak të numrit të madh të këtyre mbërritjeve, në Shqipëri është më e dukshme kjo dukuri.

Tek numri i mbërritjeve që po flasim, mund të jenë edhe njerëz që përdorin Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për të dalë dhe për t’u futur, në udhëtimet e tyre në Europë, apo në destinacionet e tjera që duan të shkojnë. Këto ardhje vizitorësh të huaj mund të jenë njerëz nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, që përdorin Rinasin. Sikundër edhe ne më herët përdornim Aeroportin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut, për të lëvizur jashtë vendit. Kështu që është e mundur të menaxhohet ky fluks i shtuar mbërritjesh, por me një planifikim të mirë.

Nevila Popa në intervistë për CMG

Nevila Popa në intervistë për CMG

CMG: Si jemi me standardet e shërbimit dhe të mikpritjes? A mund të përmirësohemi?

Nevila Popa: Unë besoj se kemi patur mundësi të zhvillohemi.

Çdo oportunitet që na krijohet sjell me vete edhe mënyrat e përmirësimit të infrastrukturës së ndërtimeve për turizmin, por edhe nga ana e burimeve njerëzore.

Kjo ndodh, pasi njerëzit janë më të vetëdijshëm se kujt do t’i shërbejnë dhe çfarë produkti ata ofrojnë. Kjo është punë e vazhdueshme dhe s’duhet të ndalet asnjëherë. Sidomos me burimet njerëzore, ne kemi përpara një sfidë shumë të madhe.

CMG: Një tregues i rëndësishëm i cilësisë së shërbimit që ofrojmë në industrinë tonë turistike e përbëjnë komentet e vizitorëve të huaj në rrjetet sociale. Në tërësi, vitin e kaluar komentet më të shumta ishin pozitive. Po këtë vit, kemi ndonjë shenjë shqetësuese, apo gjithshka shkon mirë?

Nevila Popa: Komentet janë për njerëzit dhe për shkak të pritshmërivë që ata kanë. Vizitorët mund të jenë të huaj, por edhe nga emigrantët tanë që vijnë në Shqipëri. Dhe jo të gjithë këta përdorin akomodimin tek të afërmit por edhe lëvizin në vende të tjera për të parë në Shqipëri, tanimë.

Unë besoj që komentet janë pozitive dhe duhet të presim fundin e sezonit, se si ka shkuar e gjitha. Por ndjekja e këtyre  komenteve në platformat e “Booking.com” dhe “Trip Adviser” bëhet rregullisht. Komentet ndiqen kryesisht nga kompanitë që janë të regjistruara në këto portale dhe ato i kthejnë përgjigje çdo klienti që mund të ketë ndonjë koment apo kërkon një shërbim më të mirë.

CMG: Në mendimin tuaj, a po e ndihmon turizmin tonë hapja e akseve të tilla të rëndësishme rrugore, si segmenti Thumanë-Kashar, apo Tuneli i Llogarasë?

Nevila Popa: Patjetër, çdo zhvillim për të pasur një kohë më të shkurtër, për të shkuar nga destinacioni A në B, e ndihmon vizitorin për të mbërritur më shpejt dhe këtë destinacion dhe këtë kohë, ta shfrytëzojë më së miri në vend.

Për shembull, në restorant, apo mund të shkojë vizitë në një atraksion tjetër aty pranë, etj.  Megjithatë, është e rëndësishme që hapja e këtyre akseve të jetë e kombinuar me një planifikim të duhur, që akset që përmendët në pyetje të jenë në funksion të atyre udhëtarëve që do duan t’i përdorin këto mundësi rrugësh të reja.

CMG: Sipas operatorëve turistikë, gjysma e parë e këtij viti ka qenë shumë pozitive për turistët që vijnë nga Azia, si nga Kina dhe vende të tjera të këtij kontinenti. Sipas jush, do të jetë trendi pozitiv edhe në gjysmën e dytë të këtij viti? Ç’mund të bëjmë për të shtuar ardhjet e tyre në vendin tonë?

Nevila Popa: Kryesisht ardhjet nga vendet e largëta organizohen nëpëmjet agjensive apo tur operatorëve, dhe duhet të presim si është planifikimi i këtyre tureve nëpëmjet komenteve apo të dhënave që ato japin. Ndaj është shumë e rëndësishme që, kur parashikojmë mbledhjen e të dhënave, duhet të fokusohemi tek bizneset, që mund të jenë  tur operatorët apo agjensitë që na i japin këto të dhëna.

Këto biznese menaxhojnë grupe të mëdha apo të vogla dhe feedback-u i tyre mund të ndihmojë për planifikimin e vitit të ardhshëm.

CMG: Me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, a kemi një burim të madh të turistëve në vend që po largohet në vende dhe destinacione të tjera? Dhe nëse po, si mund ta rekuperojmë?

Nevila Popa: Mendoj që është një gjë natyrale që ka ndodhur, sikurse dhe ne më herët na u hoqën vizat dhe ne patëm mundësi për të lëvizur. Kjo po ndodh sot me Kosovën. Më vjen mirë që qytetarëve të Kosovës ju është dhënë kjo mundësi.

Ajo që ne duhet të bëjmë, është të përgatitemi për lëvizjen. Pra, jo vetëm për faktin që ata vinin vetëm në Shqipëri për shkak të vizave, por për t’u dhënë atyre një produkt, i cili duhet t’i shërbejë njerëzve që duan të vijnë në Shqipëri.

P.sh., meqenese kemi Shëngjinin dhe Velipojën, që janë afër Kosovës, por kemi qytetarë të Kosovës, emigrantë që vijnë nga Gjermania apo vende të tjera, si Zvicra, etj, dhe preferojnë Jugun e Shqipërisë, atëhere, ajo çka duhet të bëjmë, si për këdo tjetër që vjen për të pushuar në Shqipëri, duhet t’i ofrojmë një produkt cilësor dhe sipas natyrës që ato e kërkojnë, në mënyrë që ky raport  midis produktit që ofrojmë dhe çmimit të tij, të jetë një raport i drejtë. 

CMG: Një prognozë tuajën, ju lutem, për turizmin tonë të këtij viti në gjysmën e dytë të tij, si dhe një mesazh për dhjetra mijëra qytetarë, që me aktivitetin e mikpritjes së turistëve kanë lidhur, në shumë mënyra, jetën e tyre jo vetëm në Jug, por edhe në Durrës, Shëngjin, Velipojë dhe në dhjetra e dhjetra fshatra turistike të vendit.

Nevila Popa: Besoj këtë vit, edhe gjysma e dytë e tij do të jetë shumë e mirë.

Duhet të kuptohet nga kushdo që është i lidhur me industrinë e turizmit, që kushdo që merr produktin, duhet të ketë një pritshmëri të saktë, sa më afër asaj që do të ndodhë Kjo, pasi njerëzit që vijnë për të pushuar, blejnë një produkt që nuk e kanë prekur me dorë. Pra, është produkt imagjinar.  Atë çfarë turistët blejnë është eksperienca dhe duhet të fokusohemi që kjo eksperiencë të jetë sa më e mire, për atë çfarë ne ofrojmë.

Pra, turisti, vizitori apo udhëtari, t’i thotë të gjithë njerëzve që do të takojë më vonë, që ardhja e tij këtu ishte eksperiencë shumë e mirë. Në këtë mënyrë, fitojnë edhe ata që merren me këtë industri, sepse të ardhurat e tyre do të jenë të kënaqshme, por edhe të vazhdueshme.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli