Ndërsa Lojërat Olimpike të Parisit po pushtojnë botën me emocionet e tyre, kur hedh sytë pas në historinë olimpike, një vend pa dyshim bie në sy. Nga pjesëmarrja e vonë në olimpiadat moderne dhe shifra zero e medaljeve të fituara, në shndërrimin në një fuqi olimpike, e gjendur gjithmonë ndër vendet e para të renditjes në tabelën e medaljeve, rrugëtimi olimpik i Kinës ka qenë mjaft i spikatur. Ky sukses nuk ka qenë një ishull i veçuar, por është pjesë e zhvillimit të sportit kinez në përgjithësi, si edhe e arritjeve të jashtëzakonshme të Kinës në pothuajse të gjitha fushat.
Ekipi kombëtar i Kinës në Lojërat Olimpike të vitit 1932, Los Angeles, ShBA(Foto:VCG)
Delegacioni kombëtar kinez në Lojërat Olimpike të Parisit(Foto:VCG)
Kur ai që mbahet si themeluesi i lojërave olimpike moderne, Pierre de Coubertin, ftoi sportistët kinezë të merrnin pjesë në olimpiadën e parë të kohëve tona, që do të mbahej në Athinë në vitin 1896, qeveria e dinastisë Qing, që sundonte asokohe në Kinë, nuk pranoi, sepse për të ishte diçka e panjohur dhe, pse jo, edhe e parëndësishme. Të mos harrojmë që lëvizja olimpike ishte në hapat e parë dhe numri i vendeve dhe i sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Athinës ishte shumë i ulët.
Por më pas, teksa lëvizja olimpike zuri të rritej e të merrte hov, ndikimi i saj nisi të dukej edhe në Kinë. Arsimtarë, publicistë, veprimtarë e njerëz të tjerë bënë thirrje që Kina të dërgonte sportistët e vet në olimpiadë ose të organizonte versionin e vet të Lojërave Olimpike. Dhe kështu, në vitin 1910 Kina organizoi atë që mund të quhet spartakiada e parë kombëtare, si hap fillestar i pjesëmarrjes në olimpiada. Ndërsa tre vjet më pas, po me nismën e Kinës, nisën të zhvillohen ato që u quajtën olimpiada të Lindjes së Mesme, të cilat zgjatën deri në vitin 1934. Kina mori pjesë në të dhjetë edicionet e tyre.
Foto:VCG
Foto:VCG
Ndërkohë, Kina e kishte nisur tashmë historinë e olimpiadave. Ishte pikërisht viti 1932, kur në Los Anxheles të ShBA-së u zhvilluan Lojërat e 10-ta Olimpike. Ishte vetëm një pjesëmarrje modeste e Kinës, me dy atletë që garuan në vrapim 100 e 200 metra, por që hodhi farën e një lavdie e cila vijon edhe sot. Në edicionin e ardhshëm, në të famshmet Lojëra Olimpike të Berlinit të vitit 1936, pjesëmarrja e Kinës u rrit ndjeshëm. Por vetëm në vitin 1984, po në Los Anxhelos ku pati pjesëmarrjen e parë, por thuajse pesë dekada më pas, Kina do të merrte medaljen e parë të artë olimpike. Dhe që atëherë ajo nuk pati më të ndalur, me një paraqitje që kulmon në vitin 2008, kur Kina jo vetëm ishte mikpritëse për herë të parë e një olimpiade, e cila do të mbahet mend në histori për organizimin mbresëlënës, por edhe bëri një paraqitje të shkëlqyer në arenën e ndeshjeve dhe të garave, duke fituar një numër prej 51 medaljesh të arta. Që nga ajo kohë, Kina është renditur gjithmonë e dyta për sa i përket numrit të përgjithshëm të medaljeve dhe ndër tre vendet e para për medaljet e arta.
Foto:VCG
Sa u përket sporteve, gjimnastika ka sjellë më shumë triumfe për Kinën, me 84 medalje, ndërsa numrin më të madh të medaljeve të arta Kina e ka marrë në zhytje, plot 47 të tilla. Sporte të tjera ku Kina ka spikatur, e madje edhe mbizotëruar, janë qitja, peshëngritja, pingpongu e badmintoni. Por tani sportistet e sportistët kinezë po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe në podiumet e medaljeve të sporteve të tilla si noti e atletika, xhudoja e taekundoja, mundja e boksi, e deri te volejbolli e çiklizmi.
Lojërat Olimpike të Parisit 2024 do të jenë pa dyshim një festë e vërtetë sportive. Në këtë festë, sportistët e sportistet kineze do të kenë një rol të pazëvendësueshëm. Le të shpresojmë që mundi e sakrificat e tyre do të shpërblehen me një paraqitje sa më të mirë e me ngjitje sa më të shumta në podiumin e lavdisë së medaljeve.