Foto nga VCG
Zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se dokumenti i “Strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030” përmes “Planit të Veprimit” adreson gjashtë objektiva madhorë që lidhen me pastrimin e parave. Sipas saj, miratimi i këtij plani strategjik i jep Shqipërisë mundësi të aksesojë në 1.5 milionë euro në formë granti nga BE, në kuadër të Planit të Rritjes, shkruan “ATSH”.
Gjatë mbledhjes së Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, i cili në rend të ditës kishte miratimin e “Strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030”, ministrja Balluku tha se dokumenti është hartuar në bashkëpunim me sektorin e privat dhe është gjithëpërfshirës.
Sipas saj, duke qenë se Shqipëria do t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit nga Komiteti MONEYVAL gjatë vitit 2025-2026, puna parapërgatitore që po ndërmerret nga të gjitha institucionet do të shërbejë për të mundësuar marrjen e një vlerësimi pozitiv.
“Masat për të cilat kërkohet vëmendje në veçanti janë: Angazhimi i stafeve me njohuri të fushës, për t’ju përgjigjur në kohë kërkesave të ekspertëve vlerësues. Në këtë kontekst, qëndrueshmëria e stafit është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm që duhet të mbahet në konsideratë nga të gjithë drejtuesit; Evidentimi me qartësi i nevojave buxhetore për ngritjen e sistemeve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale, në mënyrë që t’i adresojmë në kohë, në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”,- u shpreh Balluku. (Irma)