Kroacia shpall “non grata” tre politikanë nga Mali i Zi
2024-07-26 16:06:43

Flamuri kroat (Foto Panorama)

Flamuri kroat (Foto Panorama)

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane e Kroacisë njoftoi Malin e Zi, përmes një note drejtuar Ambasadës malazeze në Zagreb, se ka shpallur persona “non grata” kryetarin e Parlamentit, Andrija Mandiç, deputetin Millan Knezheviç dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiç.

Kroacia bëri të ditur se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë, shkruan “Panorama”.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për mos të ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën europiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Europian”,- thuhet në njoftim. (Irma)