Ministri Balla (Foto Atsh)
Ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim koordinues ndërinstitucional me përfaqësuesit e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, që mbulojnë çështjet e trafikimit të personave, ku bëri një panoramë të situatës në lidhje me zbatimin e masave antitrafik në kuadër të Planit të Veprimit të miratuar, shkruan “ATSH”.
Në takim, ku morën pjesë edhe përfaqësues të prokurorive, gjykatave dhe SPAK-ut, u diskutua mbi rekomandimet prioritare për t’u adresuar nga autoritetet shqiptare, për të hetuar, ndjekur dhe dënuar veprat e trafikimit.
Duke iu referuar raportit të DASH-it 2024 për trafikimin e personave, ministri nënvizoi disa nga arritjet e cituara në këtë raport dhe rekomandime specifike për të thelluar më tej luftën kundër këtij fenomeni.
Sipas raportit të DASH-it, Shqipëria konfirmohet në vendet e nivelit të dytë për trafikimin e personave bashkë me 97 vende të tjera nga e gjithë bota.
Vendet e nivelit të dytë konsiderohen ato ku qeveritë e të cilave nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për t’i përmbushur ato.
Ministri Balla solli në vëmendje punën e bërë nga Policia e Shtetit gjatë dy viteve të fundit, duke hetuar 111 raste (26 raste në 2023, krahasuar me 85 raste në vitin 2022).
Për 6-mujorin e parë të 2024-s, nga të dhënat e Policisë së Shtetit, për veprën penale “Trafikim i personave të rritur” janë evidentuar gjithsej 9 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 9.
Ministri Balla theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimin ndërinstitucional dhe koordinimin e veprimeve për të parandaluar fenomenin. (Irma)