Tashmë është bërë traditë nga Bashkia e Tiranës që stinën e verës të organizohet kampi veror i fëmijëve kryeqytetas. Ky është viti i pestë që u organizua nga muaji qershor deri në fund të muajit korrik kampi i cili u frekuentua nga dhjetëra fëmijë të kryeqytetit. Kampi i ngritur në Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës ka argëtuar fëmijët e grupmoshave nga 8 deri në 16 vjeç, duke i angazhuar me sporte të ndryshme, por edhe me aktivitete artistike. Edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu është bashkuar këtyre aktiviteteve dhe lojërave të grupit me fëmijë pjesëmarrës, duke ndarë me ta disa momente gazmore.
Erion Veliaj ne kampi veror TEN (Foto nga facebooku)
Veliaj është shprehuar për mediat: “Një pjesë e qytetit ka shkuar me pushime, por ka shumë prindër që janë ende në punë ose ka familje që nuk i kanë të gjitha mundësitë për t’i filluar pushimet që në korrik. Në zemër të Tiranës, te parku më i bukur që kemi, ku temperatura është më e ulët, po organizojmë, si çdo vit, kampin veror për fëmijë. Më kanë bërë shumë përshtypje super talentet që pashë këtu. Jam i sigurt se do të bëhen të gjithë të famshëm, si në balet, në sport, sa me leximet dhe gjërat e mençura që po mësojnë. Por, mbi të gjitha, këtu i mësojmë fëmijët të rrinë me njëri-tjetrin, të krijojnë shoqëri të reja”.
Specialisti artistik i Qendrës Rinore TEN Klodi Lamçaj
Në koncertin festiv të mbylljes së kampit veror ishte e pranishme edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Frida Pashako, e cila i përgëzoi fëmijët për talentin, por edhe u premtoi të rinjve se do i mbështesë gjatë aktiviteteve në vijim.
Programet dhe aktivitetet në Kampin Veror janë të ndërthurura mjaft bukura me njëra-tjetrën, duke evidentuar talentet e fëmijëve në disiplina të ndryshme, por një mënyrë mjaft e mirë edhe për tu socializuar dhe për të krijuar shoqëri të reja. Në intervistë për Radio Ejani, na ka treguar me tepër rreth kampit të këtij viti Specialisti Artistik i Qendrës Rinore “TEN” Klodi Lamçaj, por edhe fëmijët e këtij kampi veror.
Binjaket Morgan dhe Mishel në intervistë për Radio Ejani
Ndërsa ndoqa nga afër disa aktivitete të fëmijëve, u ndala tek disa fëmijë të këtij kampi, ku mora opinionet e vajzave Marva, Morgan dhe Mishel:
CMG: Përshëndetje zemër, si quhesh?
Marva: Unë jam Marva dhe jam 8 vjeç e gjysmë.
CMG: Në çfarë klase shkon këtë vit?
Marva: Unë shkoj në klasën e tretë.
CMG: Po të shihja që po luaje me shokë e shoqe, cila është loja jote e preferuar këtu tek kampi veror?
Marva: Të gjitha lojërat i kam të preferuara. Unë luaj pesë lojëra gjatë ditës. Luaj me top, bëjmë vrap, luaj tek trampolina, kërcej.
CMG: Unë shoh shumë mësues në dispozicionin tuaj, mësuesit e muzikës, mësuesja e aktrimit, e baletit, cilën nga këto kurse pëlqen më shumë?
Marva: Do veçoja kërcimin, sepse më pëlqen të kërcej.
CMG: Të pëlqen të vish vitin tjetër tek ky kamp?
Marva: Po, sigurisht.
Ndërsa fëmijët zhvillonin aktivtetet e tyre në natyrë, u ndala tek dy vajza binjake.
CMG: Përshëndetje vajza! Çfarë lojërash pëlqeni më shumë ju këtu tek kampi?
Morgan: Mua më pëlqen më shumë trampolina dhe të luaj me top.
Mishel: Mua më pëlqen, trampolina, kërcimi, kënga dhe të luaj me top.
CMG: Keni krijuar shumë shoqëri këtu?
Vajzat binjake: Po, më shumë kemi krijuar shoqëri me shoqe.
CMG: Ju ngatërrojnë shokët dhe shoqet meqënëse ngjani shumë?
Vajzat binjake: Po, na ngatërrojnë shpesh.
Në intervistë për Radio Ejani, flet rreth kampit të këtij viti specialisti artistik i Qendrës Rinore “TEN” Klodi Lamçaj.
CMG: Përshëndetje Klodi! Prej disa vitesh ti punon në Qendrën Rinore “TEN”. Na trego për kampin veror që mbahet për të pestin vit radhazi në kodrat e Liqenit artificial të Tiranës.
Klodi Lamçaj: Unë punoj pranë qendres “TEN” që nga viti 2016 dhe në vazhdim. Ndërsa në kampin veror së bashku me kolegët jemi rreth 11 persona që kujdesemi për fëmijët. Organizojmë lojëra, kurse sipas disiplinave, që janë piano, piktura, kanto, aktrimi, baleti, kemi lojëra me psikologjinë, gjithashtu edhe pjesën e multimedias dhe videove. Ne i ndihmojmë fëmijët që të bëjnë foto, t’i editojnë dhe pjesa tjetër që është post-produksioni.
Drejtori i qendrës TEN Vitmar Basha, përgjegjësja e sektorit artistik Enkelejda Sefa dhe stafi drejtues i artistëve në qendrën TEN (Foto CMG)
CMG: Të gjitha këto aktivitete organizohen gjatë orarit të caktuar 9.00 me 12.30?
Klodi Lamçaj: Të gjitha këto aktivitete organizohen gjatë këtij orari. Nga ora 9.00 deri në orën 11.00 zhvillohen kurset, ndërsa pas kësaj ore e deri në 12.30-13.00 zhvillohen lojërat, në mënyrë që edhe fëmijët të integrohen me njëri-tjetrin.
CMG: A vijnë çdo vit fëmijë të rinj, apo janë fëmijët e viteve të mëparshëm?
Klodi Lamçaj: Ka pak nga fëmijët e viteve të mëparshme, ka edhe shumë fëmijë të rinj. Fëmijët vijnë tek ne, ecin më tej zhvillohen, marrin pjesë tek “Tirana Art Fest”, si dhe në shumë evente të tjera kulturore dhe artistike.
CMG: Cilat nga disiplinat janë më të frekuentuara nga fëmijët?
Klodi Lamçaj: Më shumë fëmijë kanë interes dhe i sheh tek këndi i pikturës, baleti, këto të dyja mbizotërojnë më shumë, por edhe lojërat e lira në grupe.
CMG: Çfarë sheh ndryshe këtë vit?
Klodi Lamçaj: Fëmijët janë edhe më shumë kërkues, duan lojëra më shumë, duan aktivitete të ndryshme.
Ekspozita e pikturave të fëmijëve (Foto për CMG)
CMG: Këta fëmijë që janë në kamp do vijojnë të ndjekin edhe kurset gjatë vitit pranë Qendës “TEN”?
Klodi Lamçaj: Në kamp ne evidentojmë talentet e fëmijëve në aktrim, kanto, multimedia, etj, ku ata zhvillojnë njohuritë bazë në këto disiplina dhe më pas i orientojmë ata drejt talentit që kanë.
Përveç kampit, ne nisim sezonin në qendrën “TEN” në muajin shtator deri në muajin qershor të vitit që vjen. Unë bashkë me kolegët e mi, që jemi 11 persona që kujdesemi në kamp për fëmijët, gjithashtu ne evidentojmë talentet e tyre. Është profesori i pianos, mësuesja e kantos, mësuesja e baletit, e aktrimit, janë nga dy mësues për disiplina, jemi dy profesorë të multimedias, ku u mësojmë fëmijëve fotot, editimin, post-produksioni, kemi edhe psikologen që është një suport shumë i madh në qendrën “TEN”.
Fëmijët gjatë programit artistik (Foto për CMG)
-Qendra Rinore “TEN” është institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe ka për qëllim zbulimin e të rinjve të talentuar të kryeqytetit në fusha të ndryshme të artit, si dhe gjallërimin e jetës artistike kulturore në Tiranë. Pas kampit veror, Qendra Rinore “TEN”, vijon aktivitetin e saj në muajin shtator pranë qendrës fizike, e cila këtë vit ndodhet pranë Komunës së Parisit në Tiranë, ku fëmijë që regjistrohen pranë saj, ndjekin kurse të ndryshme që ofrohen aty si, piano, pikturë, aktrim, kanto, balet, etj. Por nuk mungon edhe roli mjaft i rëndësishëm i psikologes së qendrës, e cila zhvillon lojëra të ndryshme psiko-sociale me fëmijët, që kanë në qendër argëtimin, përqëndrimin, zhvillimin dhe nxitjen e memories, si dhe bashkëpunimin në grupe.
Marva me shoqet në kampin veror TEN (Foto për CMG)
Qëllimi i zhvillimit të këtij kampi është përveç argëtimit, disiplinës, gjithashtu dhe edukimit nëpërmjet artit, duke i mësuar brezit të ri vlerat njerëzore të shoqërisë, për të kontribuar për një rini më të mirë dhe sociale. Në ditën e fundit të kampit u organizua një aktivitet festiv në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, ku të gjithë fëmijët festuan së bashku, duke prezantuar, por edhe shfaqur talentin e tyre në fushat e artit, në piano, balet, poezi, etj. Në fjalën e tij gjatë aktivitetit përmbyllës, Drejtori i Qendrës “TEN” artisti Vitmar Basha i përgëzoi fëmijët, por edhe mësuesit për punën e tyre të palodhur.
Intervistoi: Sava Lena