Bisedë që solli realitetin e një tematike
2024-07-26 14:22:30

Në studion e “EJANI“ u zhvilluar një bisedë interesante me pjesëmarrjen e ekspertëve të njohur të ekonomisë, biznesit dhe medias shqiptare, nën moderimin e gazetarit Bardhi Sejdarasi. Idetë e reja, të debatuara kohët e fundit, që lidhen me mundësitë e reja të zhvillimit të forcave prodhuese, rritjen e produktivitetit të tyre, përqafimin e inovacionit në menaxhimin e biznesit dhe sidomos zhvillimin inovativ të sektorëve me rëndësi në ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës sikundër janë energjia e gjelbër dhe turizmi, përbënë thelbin e bisedës profesionale të të ftuarëve të “EJANI“. E organizuar si një risi, me pjesëmarrje aktive të personaliteveve në fushat përkatëse, biseda solli realitetin e këtyre tematikave, mjaft të debatueshme sot në botë.

Prof. Dr Adrian Civici, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë  u ftua nga moderatori Sejdarasi të bënte disa komente shkencore lidhur me situatën aktuale ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe perspektivat e revolucionit të ri të industrisë së energjisë së gjelbër, e parë kjo nga pikëpamja e një studiuesi dhe kërkuesi shkencor në këtë sektor. 

Prof. Civici iu përmbajt pikëpamjes se, edhe pse  ka disa dallime midis Lindjes dhe Perëndimit për çështjet që lidhen me zhvillimin, bota po evidenton një epokë të re, ndryshe nga e kaluara.

Civici, një profesori i njohur dhe një nga analistët shqiptarë të ekonomisë, komentoi edhe strategjinë e Kinës për thellimin e reformave dhe tregoi nevojën se si mund të përdoret inovacioni për të zgjidhur problemet e hasura në zhvillim, përfshirë edhe konceptin e forcave të reja prodhuese, inovacioni në teknologji dhe modelet e biznesit të cilësisë së lartë.

Dr. Enriko Ceko, ekspert dhe analist ekonomie, pedagog në Instituti Kanadez të Teknologjisë dhe London Metropolitan College, dega e Ballkanit, komentoi në studio tematikën e mësipërme dhe u ndal gjerësisht në doktrinat e zhvillimit ekonomik dhe idetë e reja të hedhura së fundi. Dr. Ceko u pyet nga moderatori i bisedës në studio se cilat janë disa mundësi të reja për të zhvilluar forcat prodhuese dhe se si e vlerësonte ai si studiues këtë koncept. Ceko ishte i mendimit se duhej ecur në këtë drejtim dhe i mëshoi faktit se vetëm rritja e produktivitetit dhe inovacioni në prodhim dhe menaxhim do të sjellë vlera të reja në zhvillimin e ekonomisë botërore. Idetë, që qarkullojnë së fundi, lidhur me inovacionin në sektorin e menaxhimit dhe atë institucional, Dr. Ceko i vlerësoi si ide, që duhen përkrahur, kudo në botë, por edhe në Shqipëri, sikurse theksoi ai gjatë bisedës

në studio.

Me vlerë në këtë bisedë profesionale në studion e “EJANI” ishin edhe komentet, nga pozicioni i përfaqësueses së biznesit të metropolit shqiptar. Albana Laknori, Sekretare e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, zhvilloi në studio idenë e shkollës DUALE dhe të nevojës që ka biznesi për zhvillimin cilësor dhe inovativ të forcave të reja prodhuesve. Ajo foli edhe për turizmin dhe hapësirat që janë krijuar, jo vetëm për turizmin tradicional, por sidomos për atë kulturor dhe solli përvoja që vinin nga shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kinën.

Një fokur të veçantë pati biseda me ekspertin e njohur të energjisë së pastër, Ph.D Lorenc Gordani, Pedagog në Tirana Business University. Dr. Gordani, si një nga aktorët e promovimit të energjisë së pastër në Shqipëri, e vlerësoi këtë sektor dhe tha se mund të mësojmë nga hovi që ka marrë ky sektor në Kinë. Ai përmendi se së shpejti do të organizohet Forumi i Energjisë së Pastër në Shqipëri dhe tha se duhet të axhustojmë politikat tona qeveritare, por edhe të biznesit, për të përfituar nga ky sektor. 

Bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe për çështje të tjera që ishin në fokus të bisedës së parë në nivel ekspertësh në studio, bisedë që solli realitete konkrete për tema konkrete që tërheqin sot vëmendjen e ekspertizës së specializuar, kudo në botë. Biseda të tilla janë edhe një dritare e hapur për të ekspozuar ide inovative dhe për t’i debatuar ato.