Foto nga VCG
Komisioni Europian bëri të ditur se do të padisë Gjermaninë dhe Italinë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë për praktikat e tyre diskriminuese ndaj punëtorëve të lëvizshëm, shkruan “RTSH”.
Në të dy vendet, vitet e fundit, janë prezantuar skemat për shtesat familjare, që ishin më të vogla për disa grupe punëtorësh sesa për të tjerët.
Në Itali, punëtorët duhej të jenë banorë të një vendi për të paktën dy vjet për t’u kualifikuar për përfitimin, ndërsa në Gjermani shtesat ishin më të vogla për punëtorët që kishin fëmijë që banonin në vendet e BE-së ku kostoja e jetesës ishte më e ulët.
“Një nga parimet themelore të BE-së është që njerëzit të trajtohen në mënyrë të barabartë pa asnjë dallim në bazë të kombësisë. Duke ndjekur këtë parim bazë, punëtorët e lëvizshëm të BE-së që kontribuojnë në të njëjtën mënyrë në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe paguajnë të njëjtat taksa si punëtorët vendas, kanë të drejtë për të njëjtat përfitime të sigurimeve shoqërore”,- thuhet në deklaratën e Komisionit Europian. (Irma)