-Prononcim për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) nga ish ministri i jashtëm shqiptar Arian Starova
Kryediplomati i Ukrainës Dmytro Kuleba vizitoi Kinën për here të pare që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ai u takua me homologun e tij kinez Wang Yi në Guangzhou të Kinës Jugore. Përpara takimit ministri i jashtëm ukrainas Kuleba ka shkruar në Instagram lidhur me qëllimin e kësaj vizite "për të vendosur kontakte midis presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi dhe atij të Kinës, Xi Jinping.
Arian Starova (Foto Sot News)
Vizita e tij në Kinë pason deklaratën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në fillim të kësaj jave, se donte t’i jepte fund konfliktit “sa më shpejt të ishte e mundur”, duke nënvizuar gatishmërinë për t’u angazhuar me Rusinë.
Të mërkurën ministrat e jashtëm të Kinës dhe Ukrainës shkëmbyen mendime mbi krizën në Ukrainë dhe kreu i diplomacisë kineze ritheksoi qëndrimin e Kinës ndaj këtij konflikti dhe përkushtimin për promovimin e një zgjidhjeje politike të tij. Wang Yi vuri në dukje se kriza e Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë dhe ekzistojnë rreziqe për përshkallëzimin dhe përhapjen e konfliktit. Ai gjithashtu tha se Rusia dhe Ukraina së fundmi, në mënyra të ndryshme, kanë treguar gatishmëri për negociata.
Pala kineze beson se të gjitha konfliktet duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave dhe të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me anë të mjeteve politike, tha ministri i jashtëm i Kinës.
“Edhe pse kushtet e momenti nuk janë ende të përshtatshme, ne mbështesim të gjitha përpjekjet që janë të dobishme për paqen dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të luajmë një rol konstruktiv në sigurimin e një armëpushimi, promovimin e përfundimit të armiqësive dhe rifillimin e bisedimeve të paqes," theksoi ai.
Lidhur me situatën humanitare në Ukrainë kryediplomati kinez Wang Yi tha se Kina do të vijojë të ofrojë ndihmë materiale humanitare.
Ndërsa ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Ukraina u kushton rëndësi të madhe opinioneve të palës kineze dhe ka studiuar me kujdes konsensusin prej gjashtë pikash të propozuar nga Kina e Brazili për zgjidhjen politike të krizës.
Në maj, Kina dhe Brazili prezantuan planin 6 pikësh për zgjidhjen politike të krizës, i cili ka marrë një përgjigje pozitive nga mbi 100 vende. Në dokument, ata bënë thirrje për shmangien e zgjerimit dhe përshkallëzimit të krizës, si dhe provokimit nga çdo palë dhe u kërkuan të gjitha palëve të krijojnë kushte për rifillimin e një dialogu të drejtpërdrejtë.
Sipas ministrit Kuleba, pala ukrainase është e gatshme të angazhohet në dialog e negociata me palën ruse.
“Sigurisht, negociatat duhet të jenë të arsyeshme e thelbësore, për arritjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme," theksoi kreu i diplomacisë së Ukrainës.
Arian Starova, ish ministër i jashtëm i Shqipërisë në vitin 1997, ndan opinionin e tij në një prononcim për Grupin Mediatik të Kinës për këtë vizitë dhe rolin e Kinës në rifillimin e dialogut për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
“Vizita e ministrit të jashtëm Kuleba në Kinë është për mua një veprim shumë i matur dhe i mençur, por do të guxoja të them që është dhe i vonuar. Unë si njohës i problemeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare jam shprehur që kur filloi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, në muaj e parë në komentet e dendura të asaj kohe. Kam thënë që Kina, dhe i qëndroj atij mendimi, është një faktor shumë i rëndësishëm lidhur me ecurinë e kësaj lufte, për procesin e paqes, ndalimin e paqes dhe rrugëzgjidhjet. Unë nuk e di dhe e them me sinqeritet që nuk e di nëse kanë bërë përpjekje të tjera autoritetet ukrainase që merren me marrëdhëniet ndërkombëtare, por gjithësesi theksoj se ndonëse e vonuar kjo është lëvizja e duhur.
Pse e them këtë? Sepse Kina është një aktor shumë i rëndësishëm botëror, jo vetëm sepse është anëtare e Këshillit të Sigurimit, jo vetëm se mban një qëndrim neutral lidhur me luftën, pavarësisht se e quajnë “aleat të Rusisë” dhe SHBA shpesh herë e akuzon nëpërmjet autoriteteve të ndryshme që po përpiqet të mbështesë në mënyrë indirekte luftën në Rusi. Unë nuk mund t’i konfirmoj këto gjëra, por i besoj politikës së përgjegjshme që bën Kina, që ruan një qëndrim neutral, është e atashuar për paqen dhe gjithmonë vepron duke patur parasysh faktin që ajo mund të jetë një aktor shumë i rëndësishëm në kuadrin e OKB-së në marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen, e shoqëruar dhe me faktin që do të bëhet ndoshta pas ca vitesh një fuqi e parë ekonomike botërore.
Ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi dhe ministri i jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba (Foto CMG)
Për të gjitha këto arsye them që të bisedosh me Kinën është natyrisht me shumë vlerë, por se çfarë do të dalë nga kjo unë nuk mund ta parashikoj, nëse ecën apo jo, por fakti që shkon ministri i jashtëm i Ukrainës në Kinë dhe takon ministrin e jashtëm Wang Yi është për mua një hap shumë pozitiv.Le të shpresojmë që do të mbyllet ajo vatër lufte”, u shpreh Arian Starova ish ministër i jashtëm i Shqipërisë.
Ndërsa Chen Yurong, studiues i çeshtjeve euraziatike në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare të Kinës, tha se udhëtimi i Kuleba-s në Kinë tregon njohjen nga ana e Ukrainës të pozicionit të drejtë të Kinës, si dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për të adresuar krizën e Ukrainës. Që nga viti i kaluar, Kina ka dërguar përfaqësuesin e saj të posaçëm për çështjet euroaziatike për të kryer tre raunde të takimesh diplomatike në përpjekje për të zgjidhur krizën.
Gjatë bisedimeve të së mërkurës, Wang dhe Kuleba bënë thirrje gjithashtu për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Kina dhe Ukraina, të cilat krijuan një partneritet strategjik në vitin 2011, janë miqësore me njëra-tjetrën, e respektojnë dhe e trajtojnë njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë dhe kanë vazhduar të promovojnë bashkëpunim reciprokisht të dobishëm, tha kryediplomati kinez Wang.
Të dy vendet duhet të ruajnë komunikimet dhe shkëmbimet dhe të vazhdojnë miqësinë e tyre tradicionale, tha Wang, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të zgjerojë importet ushqimore nga Ukraina dhe të punojë me të për të ruajtur korridoret logjistike dhe sigurinë ushqimore ndërkombëtare.
Ministri i jashtëm Kuleba tha se Ukraina mbështet pozicionin e Kinës për çështjen e Tajvanit dhe do të vazhdojë t'i përmbahet politikës së një Kine. Ukraina shpreson të nxisë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë dhe bujqësinë, shtoi Kuleba.
Kina është partneri më i madh tregtar i Ukrainës, e cila ishte ndër vendet e para që ka mbështetur dhe marrë pjesë në nismën “Një brez, një rrugë”.
Në gjysmën e parë të këtij viti, tregtia dypalëshe u rrit me 17.4 për qind në rreth 4.5 miliardë dollarë, tregojnë statistikat e Administratës së Përgjithshme të Doganave.
Intervistoi Eda Merepeza