Ministria e Arsimit starton fushatën “Studio në Shqipëri” mbi ofertat akademike
2024-07-26 14:23:38

Foto nga ATSH

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, ka nisur fushatën “Studio në Shqipëri”, për të informuar maturantët mbi ofertën akademike të universiteteve shqiptare, shkruan “ATSH”.

Kjo nismë synon të promovojë avantazhet e studimit në vend, duke njohur maturantët me programet e reja të studimit, partneritetet që universitetet tona kanë me institucione prestigjioze europiane, programet e studimit me diploma dyfishe dhe programet në gjuhë të huaj.

Ministrja e linjës, Ogerta Manastirliu, prezantoi ofertën akademike shqiptare në një takim me maturantët, të zhvilluar në mjediset e ministrisë.

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e kësaj fushate për të informuar dhe ftuar maturantët të zgjedhin degët më të kërkuara nga tregu i punës dhe me perspektivë për të ardhmen. Ajo e vuri theksin te përpjekjet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të diversifikuar ofertën akademike në bashkëpunim të ngushtë me universitetet shqiptare.

Manastirliu informoi maturantët për programet e reja të studimit të cilat janë dhe oferta e re akademike për vitin 2024-2025.

“Ka mbi 960 programe, të dy cikleve që ofrohen në universitetet tona”,- tha ministrja, duke theksuar se shumë prej trye janë në partneritet me universitetet e njohura europiane.

Ministrja gjithashtu përmendi përfitimet e zgjedhjes së një universiteti publik në Shqipëri, duke përfshirë bursa për studentët ekselentë dhe ata me vështirësi sociale dhe ekonomike.

Një tjetër aspekt që Manastirliu përmendi ishte rritja e interesit për programet e mësuesisë, falë rritjes së pagave për mësuesit.

Kjo fushatë synon të informojë maturantët mbi potencialin dhe mundësitë që kanë dhe ofrojnë programet e studimit në universitete shqiptare dhe t’i inkurajojë të rinjtë shqiptarë të zgjedhin të studiojnë në Shqipëri. (Irma)