Ministri Mete takon delegacionin e BERZH-it, në fokus Plani i Rritjes dhe projektet zhvillimore
2024-07-26 14:20:18

Foto nga ATSH

Ministri shqiptar i Financave, Ervin Mete, priti në një takim një delegacion të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryesuar nga Matteo Colangeli, Drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor.

Ministria e Financave njofton se në takim u diskutua mbi bashkëpunimin me BERZH-in, në kuadër të financimit të projekteve të rëndësishme zhvillimore, tashmë edhe në kuadër të Planit të Rritjes të Komisionit Europian, shkruan “ATSH”.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të sjellë një forcim të mënyrës se si do të përftohen burimet në mbështetje të projekteve rajonale, kryesisht në kuadrin e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

BERZH-i do të bashkëpunojë ngushtë me Komisionin Europian dhe qeveritë e rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes.

Ministri i Financave vlerësoi mbështetjen e BERZH-it, i cili ka financuar në vazhdimësi projekte prioritare për vendin, përfshirë edhe rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Krahas kushteve të favorshme të financimit, ekspertiza më e mirë ndërkombëtare dhe standardet e aplikuara për realizimin e këtyre projekteve vlerësohen si një element i rëndësishëm për të siguruar investime të qëndrueshme.

Projektet e sektorit të transportit hekurudhor kanë siguruar mbështetje të konsiderueshme, jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga institucione ndërkombëtare, ku Fondi i Investimit të Ballkanit Perëndimor (WBIF) apo Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor (EWBJF) janë mekanizmat kryesore të financimit të ngritura nga BE dhe institucione ndërkombëtare, që po kontribuojnë në zhvillimin e këtij sektori. (Irma)