Kreu i KQZ-së: Prioritet informimi i votuesve nga diaspora
2024-07-25 09:24:38

Foto nga ATSH

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi në një seancë dëgjimore në Nënkomisionin për Diasporën dhe Emigracionin, ku u diskutua për votën e diasporës, se nevojitet ndërtimi i një strukture administrative brenda institucionit të KQZ-së, e cila nga pikëpamja rregullatore, organizative, teknike, kur i gjithë kuadri ligjor rregullator do të ishte gati, do të adresonte aspektin e përgatitjes dhe zhvillimit të votimit nga jashtë, shkruan “ATSH”.

Ai theksoi se KQZ-ja tashmë e ka ndërtuar strukturën e posaçme administrative brenda tij, e cila ka përgjegjësi të dedikuar në lidhje me gjithë aspektet e procesit të votimit nga jashtë.

“Ne tashmë e kemi të konsoliduar nga pikëpamja administrative drejtorinë për votimin nga jashtë dhe e kemi të organizuar në mënyrë të tillë që t’u përgjigjet të gjithë elementëve teknikë të zhvillimit të votimit nga jashtë duke nisur nga procesi regjistrimit, i administrimit të votave dhe i nxjerrjes së rezultatit. Natyrisht, do të duhet të presim zhvillimet e fundit brenda Kuvendit, nëse procesi i diskutimeve dhe negociatave ndërmjet palëve politike do të finalizohet me plotësimin e boshllëqeve ligjore, sikurse Gjykata Kushtetuese thotë në lidhje me votimin nga jashtë dhe kështu do t’i hapet rruga veprimit të KQZ-së për të punuar për ta përgatitur këtë proces”,- deklaroi Celibashi.

I pyetur lidhje me marrjen e masave nga KQZ për votimin e qytetarëve nga jashtë, Celibashi tha: “Nëse ka vërtet një gjë të cilën ne e kemi prioritare në fokusin tonë është aksioni që duhet të ndërmarrë KQZ, por jo vetëm, për të ndërgjegjësuar, informuar të gjithë ata votues që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ky është një proces shumë i vështirë. Ne kemi probleme të edukimit, të informimit dhe të ndërgjegjësimit të votuesve që jetojnë brenda territorit të Shqipërisë. Kjo do të jetë më sfiduese për ne për rastin e votuesve nga jashtë për ato faktorë objektivë”,- tha Celibashi. (Irma)