Ministri Gonxhja: Trashëgimia kulturore, mbështetje për ekonominë
2024-07-25 16:42:05

Ministrja Gonxhja (Foto Atsh)

Ministrja Gonxhja (Foto Atsh)

Muzeu Etnografik i Krujës hapi dyert për publikun, pas restaurimit të financuar nga Bashkimi Europian, përmes programit “EU4Culture”, mbështetur edhe nga UNOPS-i, shkruan “ATSH”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, deklaroi se për shumë kohë Shqipëria nuk ka ditur të shfrytëzojë potencialet e paimagjinueshme që ka, ndërsa sot kemi hyrë në një epokë ku turizmi nuk zhvillohet më sporadikisht, por në të gjithë vendin dhe përgjatë gjithë vitit.

Ministri tha se ky rinovim e bën këtë muze një epilog të denjë të shëtitjes që nis nga pazari, vijon me kështjellën, Muzeun e Gjergj Kastriotit, bujtinat etj.

Ministri Gonxhja kujtoi se Kruja është qyteti me numrin më të vogël të të ikurve, fakt i cili është domethënës pasi trashëgimia kulturore është një nxitës për ekonominë duke lidhur komunitetin me këto qendra.

“Më vjen mirë që jam pjesë e një mazhoranse e cila në pak vite, ka nxitur ngritjen e 10 muzeumeve të reja e po aq janë në plan në të ardhmen”, deklaroi ministri Blendi Gonxhja, në ceremoninë inauguruese.

Muzeu Etnografik i Krujës paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë. Me mbi 3000 artefakte të ekspozuara, vizitorët mund të eksplorojnë mënyrat tradicionale të jetesës së shqiptarëve dhe zakonet e tyre gjatë shekujve.

Muzeu është një ndërtesë e tipit “çardak”. Banesa është monument kulture e kategorisë së parë. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si dhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. (Irma)